Pas miratimit të lejes së ndërtimit për dy komplekset e para rezidenciale, kompania “Durrës Marina” hedh hapin e radhës.

Më datë 8 gusht, në Tiranë do të organizohet një tjetër shitje apartamentesh, këtë herë të godinës rezidenciale Bayside Residence.

Kjo është godina e pestë që kompania “Durrës Marina” nxjerr në shitje, pas dy të parave në muajin dhjetor 2022 dhe dy godinave të tjera Beach Vistas dhe Marina Waters Residence, të dala në shitje përgjatë këtij viti.

Më datë 1 gusht, Këshilli Kombëtar i Territorit i hapi dritën jeshile fillimit të projektit “Durrës Yacht & Marina” me dhënien e lejes së ndërtimit për dy godinat e para.

Muajin e kaluar, kompania Durrës Marina ka realizuar rritjen e parë të kapitalit me 7 milionë euro, që pritet të sigurojë fondet e nevojshme për fillimin e projektit.

Shuma prej 7 milionë eurosh është transferuar në llogarinë e Durrës Marina në një bankë të nivelit të dytë më 30 qershor, ndërsa rritja e kapitalit është regjistruar në regjistrin tregtar më datë 5 korrik.

Injektimi i kapitalit është kryer i gjithi nga aksioneri i shumicës, kompania Eagle Hills Real Estate Development, që përfaqëson në investim biznesmenin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed Alabbar.

Eagle Hills Real Estate Development zotëron 67% të aksioneve në Durrës Marina, ndërsa kompania që përfaqëson palën shqiptare, Albanian Seaports Development Company, mban 33% të aksioneve.

Në muajin shkurt të këtij viti, qeveria shqiptare i transferoi aksionerit shqiptar një listë me 281 prona shtetërore për një sipërfaqe totale prej 818 mijë m2, sipërfaqe që do të përdoret në funksion të projektit.