DURRES – Reanimacioni i spitalit të Durrësit është nën mbikqyrje të rreptë të forcave të rendit. Shkak për këtë është fakti se tre të plagosurit e sherrit të natës së të henës në Kavajë janë ende në ambientet spitalore nën kujdesin e mjekëve. Megjithëse dy nga të plagosurit, Aldo Gryka dhe Sajmir Fikaj, nuk paraqesin rrezik për jetën ata ende nuk e kanë lënë spitalin. Meqë gjendje e tyre sipas mjekëve paraqitet e normalizuar ata janë marrë në pyetje sot nga ekspertët e kriminalistikës, për të hedhur më shumë dritë mbi motivet e sherrit me thika që u mbyll me bilancin tragjik, një i vdekur e tre të plagosur.

Burime policore, që u referohen deklaratave të lëshuara nga Gryka dhe Fikaj bëjnë të ditur se sherri ka nisur pas një konflikti verbal mes 44 vjeçarit Artur Kollçaku me të riun Elvis Kollçaku.  

“Rreth orës 20.25, Artur Kollçaku i shoqëruar nga Sajmir Fikaj, ka hyrë në lokal për të pirë kafe. Sapo janë ulur, Elvisi ka nisur të debatojë ashpër me Arturin. Pas sharjeve dhe ofendimeve të ndërsjellta, ata janë përleshur me njëri-tjetrin. Ne shkuam për t’i ndarë dhe u dëmtuam edhe vetë. Fillimisht sherri nisi brenda ambjenteve të lokalit, pastaj u zhvendos në ambjentet e jashtme të tij, ku dhe mbetëm të plagosur”,- ka pohuar para hetuesve, 20-vjeçari Gryka.

Ndërsa Gryka dhe Fikaj e kanë kaluar rrezikun dhe gjendja e tyre shëndetësore është normalizuar, i plagosuri tjetër, Elvis Kollçaku vazhdon të jetë në gjendje të rëndë, megjithëse mjekët e spitalit të Durrësit konfirmojnë se nuk është më në rrezik për jetën. Kollçaku ka marrë plagë të ndryshme në trup dhe stafi mjekësor po e mbikqyr nga afër gjendjen e tij shëndetësore.

Pasi të kalojë situatën kritike atij do t’i duhet të përballet me forcat e rendit, pasi përveçse rezulton një nga protagonistët e grindjes për motive të dobëta është dhe autor i vrasjes së 44 vjeçarit Kollçaku.

Ngjarja e rëndë e së hënës tronditi qetësinë e qytetit të Kavajës, pasi katër të rinj u përleshën mes tyre me thika në ambientet e një lokali afër ish-fabrikës së qelqit. Të katër personat e përfshirë në konflikt mbetën të plagosur, por vetëm njëri prej tyre humbi jetën gjatë kohës që po transportohej në spitalin e Durrësit. Trupi i tij ndodhet ende në morgun e spitalit, i pa tërhequr nga familjarët.   

Burime policiore që po punojnë për zbardhjen e ngjarjes bëjnë të ditur se krimi ka ndodhur për motive të dobëta. Sipas hetuesve, viktima dhe nëna e autorit të vrasjes kishin një lidhje jashtëmartesore, madje 20 vjeçari dyshonte se Artur Kollçaku e shfrytëzonte nënën e tij edhe për prostitucion.