·        Akuza bregdetare çon para togave të zeza egjiptianin Ihab Younes, italianin Giuliano Perrone-n, shqiptarët Ndriçim Hysolli dhe Dritan Laska bashkë me firmat e tyre “Xhulja Amr” dhe “Behera Grup” (në Harizaj e Lekaj të Kavajës), “Damiani Demolicioni” dhe “Kevin” në Durrës, të krijuara në vitet 2011 dhe 2013

DURRËS, 22 janar 2015 –  “Ekip” ndërkombëtar mashtrimesh për rimbursim të tatimit mbi vlerën e shtuar, duke i marrë shtetit shqiptar 23 milionë lekë.

Njoftohet se prokuroria e Durrësit ka përfunduar hetimet dhe dërgoi për gjykim 4 shtetas dhe 4 persona juridikë (subjekte private), të angazhuar në mbledhjen dhe përpunimin e skrapit, të akuzuar për krijimin e një skeme mashtruese me rimbursimin e TVSH-së, nga e cila është vërtetuar dëmi që i ka ardhur shtetit në vlerën e mbi 23 milionë lekëve. Hetimi është realizuar në bazë të referimit dhe bashkëpunimit me drejtorinë e hetimit tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Në përfundim të hetimit, Prokuroria ka ngritur akuzat për veprat penale “Falsifikimi i formularëve” e kryer në bashkëpunim dhe “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” e kryer në bashkëpunim dhe ka dërguar për gjykim 4 shtetas (2 shqiptarë e 2 të huaj); si dhe 4 subjektet private (2 në Kavajë dhe 2 në Durrës). Bie në sy fakti që egjiptiani Ihab Younes,pronar i dy firmave në Lekaj të Kavajës i ka lënë “pendët” drejtësisë shqiptare dhe është shpallur në kërkim për shkak se për të është dhënë në mungesë masa e sigurimit arrest me burg. E njëjta masë sigurimi me arrest me burg është dhënë dhe për shqiptarin Dritan Laska, administrator i firmës “Damiani Demolicioni” në Durrës; kurse për shqiptarin tjetër Ndriçim Hysolli ka si masë sigurimi arrest në shtëpi. Kurse italiani Giuliano Perrone, ka si masë sigurimi detyrim për paraqitje.

DO TË GJYKOHEN SHTETASIT

Ihab Younes, 36 vjeç,me shtetësi egjiptiane, hetuar me masë sigurimi arrest me burg (në mungesë); administrator dhe likuidator i dy firmave për import-eksport metalesh të përdorura me ngjyrë dhe pa ngjyrë për skrap, “Xhulja-Amr” shpk në fshatin Harizaj të komunës së Lekajt në Kavajë, hapësira ngjitur me hotel “Klasik” dhe “Behera Grup” shpk, po në Harizaj e Lekaj, hapësira përbri autostradës Kavajë-Rrogozhinë km 6.

Ndriçim Hysolli, 58 vjeç, hetuar me masë sigurimi arrest në shtëpi.

Giuliano Perrone, 63 vjeç, me shtetësi italiane, hetuar me masë sigurimi detyrim për paraqitje.

Dritan Laska, 41 vjeç, i hetuar me masë sigurimi arrest në burg, administrator i firmës së skrapit “Damiani Demolicioni” shpk në lagjen nr. 9, rruga “Aleksandër Goga” Durrës.

DO TË GJYKOHEN SUBJEKTET PRIVATE

“Xhulja-Amr”shpk, themeluar më 18 janar 2011.

“Behera Grup”shpk, themeluar më 4 shkurt 2013.

“Damiani Demolicioni” shpk, themeluar më 20 shtator 2011.

“Kevin”shpk.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/