Tiranasi i merr “Fiat Punton” banorit të Sukthit, kurse durrsaku ia hedh kavajasit për 60 mijë lekë

DURRËS, 17 dhjetor 2014 – Të martën, më 16 dhjetor 2014, në Durrës filluan dy procedime penale për mashtrime, një në mungesë dhe tjetri në gjendje të lirë.

Drejtoria e policisë së shtetit njofton se është shpallur kërkimi për Besnik Bitrin, 22 vjeç, banues ne Tiranë. Blutë thonë se më 16 dhjetor 2014, ora 17.00, Izmir R., 33vjeç, banues në Durrës, ka bërë kallëzim, se më 12 dhjetor 2014, në Sukth, ka lidhur një kontratë për dhënie me qira të një “Fiat Punto”-je me targë AA 070 EV. Kontrata zgjaste  deri më 15 dhjetor 2014, ora 10.30, kohë kur mjeti duhej të kthehej. Por makina nuk është kthyer te pronari i ligjshëm. Po punohet për kapjen e mashtruesit dhe veturës. 

Po më 16 dhjetor 2014, ora 9.00 paradite, D. K., 44 vjeç, banues në Kavajë, ka bërë kallëzim në polici se më 17 nëntor 2014 i ka dhënë durrsakut 25-vjeçar A. B. 60 000 lekë. 25-vjeçari kishte marrë përsipër t’i bënte zhdoganimin e mjetit, por që nuk rezultoi kështu, madje nuk i ktheu as lekët.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/