Durrës, 29 maj 2014 – Asllan Patrioti, kryetari i shoqatës së ish të përndjekurve politik Durrës, është arrestuar nga policia në kuadër të operacionit të koduar “MASHTRUESIT”. Arrestimi i Patriotit, 61 vjeç, i dënuar më herët për mashtrimin e një shtetasi italian, si dhe shpallja në kërkim e bashkëpunëtorit të tij Arben Shezi, 44 vjeç, erdhi pas një hetimi dy mujor.
Personat në fjalë, në bashkëpunim me njeri tjetrin, kanë arritur të mashtrojnë shtetas të ndryshëm të cilët i pajisnin me dokumenta të ndryshme për të aplikuar për të shkuar në Kanada, SHBA, Britaninë e Madhe dhe Belgjikë me dokumenta me mbishkrimet “CBI”, “ANTITEROR”, “ANTIMAFIA” etj.
Pas mbërritjes së këtyre shtetasve në destinacion ata do të pajiseshin me dokumenta “vërtetim anëtarësie pranë Shoqatës për Integrimin e të Përndjekurve Politikë Durrës, përkundrejt shumave që variojnë nga 3000 deri në 8000 mijë euro.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale, një sasi të konsiderueshme dokumentesh të falsifikuara, si distiktivë me mbishkrimet e CBI-së, dokumenta me mbishkrimet ANTITERROR, 80 dokumenta identifikimi të personave të ndryshëm personash te tjera si dhe 40 vertetime nga Shoqata për Integrimin e të Përndjekurve Durrës.
Gjithashtu nga oficerët për e sektorit të Krimit Ekonomik e Financiar po punohet për verifikimin dhe dokumentimin ligjor të disa informacioneve dhe të dhënave të tjera që mund të rëndojnë mbi këta dy shtetas, pasi dyshohet se kanë mashtruar rreth 11 persona duke ju përvetësuar shuma parash që variojnë nga 2000 deri në 5000 euro, duke ju premtuar shtetasve se emrat e tyre janë pjesë e listës së personave që do të pajisen me apartamente banimi nga Enti i Banesave pranë Bashkisë së Durrësit.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





