DURRËS, 29 dhjetor 2013 –  Fundvit me maska në zonën rurale të Durrësit, teksa 4 persona të armatosur kanë plagosur rëndë të zotin e shtëpisë, një 58-vjeçar, duke i grabitur në një kasafortë në banesë një shumë valute dhe parash si dhe disa bizhu floriri dhe janë larguar. Aktualisht i dëmtuari ndodhet në spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën.

PASI IKËN DRITAT

Burime zyrtare nga drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Durrës-Krujës bëjnë të ditur se mbrëmjen e 28 dhjetorit 2013, në fshatin Hamallaj, që është nën juridiksionin e bashkisë së Sukthit, rreth orës 19.50, duke përfituar nga errësira, pasi ka pasur kufizime të energjisë elektrike, katër veta me çorape të zeza në kokë, kanë hyrë në shtëpinë e familjes Sallaku. Në atë kohë aty ndodheshin 58-vjeçari Ismail Sallaku, bashkëshortja, si dhe nusja e djalit me vajzën. Sallaku u përlesh me grabitësit, që e qëlluan me mjete të forta në kokë, bark e trup. Për pasojë i zoti i shtëpisë ka rënë pa ndjenja, ndërsa grabitësit kanë zhvatur në një kasafortë në banesë një shumë valute dhe parash si dhe disa bizhu floriri.

I PLAGOSURI

I plagosuri është transportuar me urgjencë në spitalin rajonal të Durrësit, ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore. Aty ai ka treguar: “Nuk  e di sa ishin katër apo pesë veta. Për shkak të errësirës nuk i dallova. Isha me gruan në dhomë dhe nusja e djalit me vajzën ishin ne dhomën tjetër, por nuk kuptuan gjë. U kapa në befasi kur më goditën”.

NË KËRKIM

Pasi u sinjalizuan për ngjarjen, në Hamallaj kanë mbërritur një numër i madh policësh, që u vunë në ndjekje të maskave. Mësohet se u ngritën postblloqe në rrugët që lidhin fshatin Hamallaj me gjirin e Lalëzit dhe Fushë-Krujën. Ndërkohë grupi hetimor ka marrë në pyetje banorët e zonës. Ka dyshime se grabitësit mund të jenë nga fshati, madje të afërm të familjes Sallaku ishin në dijeni të parave që ishin në banesë.

MINISTRI TAHIRI

Fakti që incidenti bëri bujë, detyruan ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi, të shkonin paraditen e së dielës, 29 dhjetor 2013, në familjen Sallaku, në Hamallaj. Tahiri tha se ngjarja është akt kriminal. Ai premtoi se autorët do të gjenden shumë shpejt dhe do të marrin dënimin e merituar.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/