SHIJAK, 12 shkurt 2013 – Maskat terrorizojnë një familje në Shijak dhe i grabisin paratë. Policia e Durrësit ka arrestuar një 27-vjeçar me precedent penalë dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë, që kanë qenë bashkëautorë në krimin e regjistruar ditën e hënë. Në pranga ka përfunduar 27 vjeçari Emiljano Lami, i cili dyshohet të jetë një nga 3 personat që terrorizuan familjen e shtetasit H.Haxhiu. në lagjen “Laguna”, Shijak. Ngjarja e rëndë është regjistruar në një apartament në katin e dytë të një pallati 5-katësh
Policia e Durrësit deklaron se grabitja ka ndodhur rreth orëve të para të mëngjesit. Në orën 04.30 kryefamiljari H.Haxhiu ka dalë nga shtëpia për të shkuar në punë. Djali i shtëpisë është ngritur të mbyllë derën e apartamentit, por ajo është hapur me forcë nga 3 persona të maskuar. Megjithë tentativën e djalit të pronarit të shtëpisë për të mbyllur derën ajo është shkatërruar me mjete të forta nga grabitësit.
Menjëherë sapo janë futur në shtëpi, ata kanë neutralizuar 4 personat që ndodheshin në shtëpi, gruan e kryefamiljarit, nënën e tij dhe dy fëmijët. Nën kërcënimin e mjeteve të forta ata i kanë lidhur, i kanë terrorizuar dhe u kanë mbuluar kokën me çarçaf. Më pas kanë nisur të kontrollojnë nëpër shtëpi dhe kanë gjetur e kanë marrë me vete 2000 euro si dhe një arkë kursimi të djalit të familjes me shumën prej rreth 550.000 lekë.
Pasi kanë marrë paratë ata janë larguar duke lënë të traumatizuar gruan dhe djalin e saj. Policia e Durrësit bën të ditur se krahas prangosjes së Emiljano Lamit është bërë identifikimi edhe i dy grabitësve të tjerë dhe po punohet për prangosjen e tyre.
Pasi kanë mbledhur prova të mjaftueshme materiale përfshi edhe shenja gishtërinjsh të autorëve dhe i kanë ballafaquar ato me shenjat e personave të skeduar në komisariatin e policisë së Shijakut, hetuesit kanë rënë në gjurmët e shtetasit Emiljano Lami, i dënuar më parë për vjedhje dhe plagosje. Gjatë arrestimit të 27-vjeçarit, në banesën e tij në Shijak, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale, maskën e përdorur gjatë grabitjes.
Ndërkaq një ditë më parë policia e Durrësit dokumentoi një tjetër vjedhje me dhunë, kryer në bashkëpunim, ku një banori të fshatit Bizë të Ishmit iu vodhën me dhunë sendet personale që kishte me vehte, ngjarje për të cilët u identifikuan dhe u arrestuan si autorë të grabitjes tre 17-vjeçarë, banorë të fshatrave përreth.





