DURRES, 26 prill 2013 – Një tjetër grabitje me dhunë në qytetin e Durrësit. Rreth orës 15.30, në lagjen nr.14, shtetasit Isa Xhumani i është vjedhur me dhunë automjeti tip Benz me targa DR 2983 D. Burime policore bëjnë të ditur se 31 vjeçari Xhumani është mbajtur peng për rreth 7 minuta në automjetin e tij e më pas është lidhur pas një peme në zonën e plazhit. Mësohet se grabitësi ka ushtruar dhunë ndaj 31 vjeçarit Xhumani dhe i ka prerë veshin.
Pasi i ka grabitur mjetin dhe e ka lënë të lidhur në afërsi të një godine të braktisur në zonën e plazhit, grabitësi Sabri Veterniku është larguar nga vendngjarja së bashku me automjetin e 31 vjeçarit. Xhumani është gjetur disa orë më pas nga një kalimtar i rastit që ka njoftuar policinë.
Sipas policisë, Xhumani është dërguar menjëherë më pas në spitalin rajonal të qytetit për t’u mjekuar nga plagët e marra, por fatmirësisht ai është jashtë rrezikut për jetën, megjithëse ndodhet në reanimacion.
Policia njofton se e ka identifikuar autorin e kësaj vepre penale dhe po punon për prangosjen e tij. Policia bën të ditur se dy shtetasit e përfshirë në këtë ngjarje kishin njohje personale me njeri tjetrin.
Mësohet se Veterniku i kishte kërkuar disa ditë më parë shoferit të taksisë që të shoqëronte mbesën e tij me automjet. Refuzimi i Xhumanit duket se nuk është kapërdirë nga shoku i tij, që pikërisht pasditen e sotme e ka rrëmbyer 31 vjeçarin duke e mbajtur peng dhe më pas e ka lidhur për rreth tre orë. Mësohet se mes dy shtetasve ka pasur edhe konfrontim fizik. Policia e Durrësit po punon për prangosjen e Veternikut mbi të cilin rëndojnë disa akuza.
(VIJON)
/e.a. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





