700 pasagjerë dhe 100 mjete mbërritën mëngjesin e sotëm në portin e Durrësit. Këta janë udhëtarët e fundit që zbarkuan në tokën shqiptare për vitin 2018, pasi për këtë vit nuk do të ketë më lundrime nga Italia në drejtim të Shqipërisë.
Dy tragetet e fundit erdhën sot nga Bari, ndërkohë që tashmë lundrimet pritet të fillojnë mbrëmjen e datës 2 janar 2019 nga porti i Durrësit në drejtim të Italisë.
Ndryshe nga pak ditë më parë, pasagjerët thonë se nuk kanë hasur vonesa në portin e Barit. Sipas tyre, gjithçka ka shkuar shumë mirë dhe janë të kënaqur me kushtet që ofrojnë mjetet lundruese apo përpunimi në pikat kufitare.
Gjatë muajit dhjetor ka pasur një fluks të lartë të personave që kanë lundruar nga portet italiane në drejtim të Durrësit. Sipas policisë kufitare, viti 2018 ka pasur një rritje prej 7% krahasuar me vitin 2017.
Menjëherë pas festës së Vitit të Ri, pritet të ketë një fluks të lartë në ikje.
K.H.





