Durrës, 15 mars 2014 – Rreth orës 12.00 është ankoruar në portin e Durrësit trageti i linjës Bari-Durrës, në të cilin ndodheshin trupat e tre vajzave të familjes Dobrushi që u vranë nga e ëma 6 ditë më parë në Lecco të Italisë. Tre arkivolët janë shoqëruar nga babai i vajzave, Bashkim Dobrushi dhe pjesëtarë të tjerë të familjes, ndërkohë që mjaft familjarë të tjerë përfshirë dhe të familjes Çopa i kanë pritur në port të pikëlluar dhe me lule në duar.
I ati i tre vajzave apo edhe familjarë të tjerë nuk kanë pranuar të flasin për mediat, ndërkohë që dhimbja për ngjarjen e rëndë i ka shoqëruar të gjithë sapo zbritën nga trageti derisa kanë kryer procedurat për vulosjen e pasaportave dhe daljen nga terminali i pasagjerëve.
Më pas kortezhi mortor është nisur drejt Kukesit me një furgon që është siguruar nga komuna e Lecco-s në Itali, ndërsa ceremonia e varrimit të Simonës 13 vjeç, Keisit 10 vjeç dhe Sindit 3 vjeç, është parashikuar të zhvillohet sot në orën 16.00.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





