· Ende e paqartë pse 3 kontejnerë me banane ekuadoriane për Shqipëri janë brokeruar nga agjencia detare-spedicionere malazeze Interlog Doo me seli Tivar, kur Durrësi ka mbi 80 agjenci detare, për më tepër që “MSC Jilhan” është në portin e Durrësit anije linje (liner) e MSC Albania, me bashkaksionar agjencinë shqiptare Shega-Trans Sha, që ofron edhe shërbime të tjera si agjenci detare dhe spedicionere në portin e Durrësit
DURRËS 11 qershor 2014 – Ashtu si natën e 3 qershorit, 11 km larg portit të Tivarit (Mali i Zi), ku u kap një kontejner me 250 kg kokainë, sërish në orën 02:22 të datës 11 qershor 2014 anijes “MSC Jilhan” i fiket Sistemi i Identifikimit Automatik (AIS) në koordinatat 19.103 V 41.04587 L, në një distancë 25 km përballë bregut të Divjakës.
Sipas raportit ditor të anijeve të mallrave të Autoritetit Portual Durrës sha (APD), datë 11 qershor 2014, azhurnuar ora 08:26, është akostuar në terminalin e trageteve, kalata 6, ora 07:45, datë 11 qershor 2014, anija “MSC Jilhan” me 502 copë kontejnerë për shkarkim (shih faksimilen).
“Dyrrah”-u ka ndjekur rrugën për në Durrës të “Jilhan”-it, që u nis nga porti italian i Barit ora 18:58 të datës 10 qershor 2014.
Ka pasur disa raportime për vendndodhjen e anijes me AIS (Sistemi i Identifikimit Automatik), nga ora 01:53 e datës 11 qershor në drejtim të Durrësit, që ndërpriten ora 02:22 në koordinatat 19.103 V 41.04587 L, 15 km përballë bregut të Divajkës (shih faksimilen e hartës).
Prej asaj kohe AIS-i nuk ka funksionuar dhe APD njofton akostimin ora 07:45 në portin e Durrësit.
Kjo anije u përfol me rastin e kapjes së 250 kg kokainë, më 4 qershor 2014, nga dogana dhe antikontrabanda malazeze në portin e Tivarit në një kontejner me banane.
U bë zhurmë për faktin kur dogana malazeze deklaroi se kontejneri kishte si pritës malli një firmë në Fier e krijuar në mars 2013,
Ka pasur dyshime pse anijes “Jilhan” iu fik AIS-i natën e 3 qershorit 2014, teksa ndodhej 11 km larg Tivarit, pse anashkaloi portin e Durrësit dhe pastaj pas Tivarit shkoi në Durrës ku shkarkoi kontejnerë të tjerë.
Ende prokuroritë malazeze dhe shqiptare nuk kanë bërë të ditur lidhur me hetimet: pse 3 kontejnerë me banane ekuadoriane për Shqipëri janë brokeruar nga agjencia detare-spedicionere malazeze Interlog Doo me adresë: Jovana Tomasevica 10W Tivar, komuna Tivar, filial i kompanisë me të njëjtin emër me seli në Beograd të Serbisë.
Durrësi ka mbi 80 agjenci detare.
Për më tepër që “MSC Jilhan” është në portin e Durrësit anije linje (liner) e MSC Albania (nën-agjenci e MSC Greqi), me bashkaksionar agjencinë shqiptare Shega-Trans Sha (autostrada Tiranë-Durrës, km 12, 1001 Tiranë), kompani transporti ndërkombëtar, fokusuar në transportin e mallrave, me transport detar me kontejner dhe mallra rinfuso dhe transport tokësor me kamion; kompani që ofron edhe shërbime të tjera si agjenci detare dhe spedicionere në portin e Durrësit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/







