DURRËS, 9 maj 2013– Turistët finlandezë dhe rusë po mësohen edhe me Durrësin.
Më 9 maj 2013, ora 6:30 paradite, është bregëzuar në portin e Durrësit anija turistike 31-vjeçare finlandeze “Kristina Katarina” (jo “Katerina”, sikurse e shkruan gabimisht APD) me 325 turistë ne bordin e saj.
Turi Kroaci-Slloveni-Itali-Shqipëri-Maltë është kombinuar me transportin ajror, teksa turistët kanë mbërritur në portin kroat të Splitit me avion nga Helsinki, më 4 maj, me dy fluturime: ora 15:25 dhe 17:50.
Nordikët shijuan lundrimin pranveror nëpër Adriatik më 5 maj kur u nisën nga Spliti ora 16:00.
Më 6 maj, ora 9:00-23:00 udhëtarët kanë vizituar qytetin slloven të Koperit, kurse më 7 maj, ora 7:00-19:00 kanë qëndruar në Venecian mitike.
Anija turistike u nis nga porti italian natën e 7 majit dhe, pas një udhëtim të gjatë nëpër Adriatik, mbërriti në Durrës, ku do të qëndrojë deri në orën 19.00, pasi turistët të vizitojnë Durrësin, Krujën dhe Beratin.
Prej këtej do të shkojë në portin italian të Krotones (Crotone), në orën 8 të mëngjesit të 10 majit, ku do të qëndrojë deri në orën 15,30 dhe për ta mbyllur turin në Valeta (Valletta) të Maltës më 11 maj ora 9 paradite, nga ku, me dy avionë, rreth orës 19:40 dhe 20:00 do të nisen për në kryeqytetin finlandez, Helsinki.
Sipas Autoritetit Portual Durrësit, që i referohet agjencisë pritëse, shumica e turistëve janë nga Finlanda, por nuk mungojnë edhe udhëtarë nga Rusia, Anglia, Norvegjia dhe Suedia.
Anija turistike ka vizituar disa herë portin e Durrësit.
Për herë të fundit ajo u ankorua në portin më të madh të vendit tonë në tetor të vitit të kaluar.
Pas kroçerës “Costa Voyager” me 761 turistë, “Kristina Katarina” është anija e dytë turistike që mbërrin në Durrës në fillim të këtij sezoni.
Sipas kompanisë detare finlandeze “Kristina Cruises”, që ka në pronësi kroçerën “Kristina Katarina”, kjo do të vijë edhe dy herë të tjera në Durrës gjatë këtij viti, në muajt shtator (nis më datën 7 me paketën Kroaci-Slloveni-Itali- Shqipëri-Greqi) dhe tetor (nis më datën 12, me paketën Greqi- Shqipëri-Slloveni- Itali-Kroaci).
Kush është kush
“Kristina Katarina” (ish-“The Iris” në vitet 2000-2010, “Francesca” në vitet 1996-2000, “Konstantin Simonov” në vitet 1982-1996) është anije turistike me 6 kuverta në pronësi të kompanisë finlandeze “Kristina Cruises”.
U ndërtua me porosi nga ish-Bashkimi Sovjetik si traget për automjete dhe udhëtarë në kantierin "Stocnia Szczecinska im Adolfa Warskiego" në Shçecin të ish-Republikës Popullore të Polonisë, dhe u hodh në det më 17 prill 1981.
Iu dorëzua ndërmarrjes shtetërore detare të Detit të Zi në Odesa në vitin 1982.
Në vitin 1987-1988 anija u modernizua në kantierin detar gjermano-perëndimor “Lloyd Werft”.
24 shkurt 2010 u regjistrua në portin finlandez Kotka me emrin “Kristina Katarina”.
Modernizimi i anijes u krye nga koncerni “Almaco” në Kotka dhe Naantali, gjatë të cilit rinovimit iu nënshtruan të 193 kabinat, shkallët, mjediset publike, salla e konferencave, restoranti dhe shumë të tjera.
Gjatësia: 137,61 m
Gjerësia: 21.01 m
Zhytja: 5.6 m
Fuqia: 5,440 k.f. (12,779 kW)
Shpejtësia: 20 nyja
Ekuipazhi: 189 vetë (planifikuar), 90-100 (në vitin 2012)
Kapaciteti: 380 udhëtarë
380 shtretër
193 kabina udhëtarësh
14 makina
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





