DURRËS, 2 janar 2014 – Kroçera “Regina della Pace” me 178 turistë në bordin e saj mbërriti më 2 janar 2014, ora 8:00 paradite, në portin e Durrësit. Kjo është vizita e parë e një anije turistike në Durrës që në fillim të vitit. Sipas drejtuesve të agjencisë turistike “Samer & Misa Shpk”, vizitorët janë kryesisht nga Kroacia, por nuk mungojnë edhe turistë nga Italia, Sllovenia, etj. Ata kanë shfaqur interesim për këtë udhëtim në Shqipëri, i cili po realizohet që në ditën e dytë të vitit 2014. Anija turistike “Regina della Pace”, e ndërtuar në vitin 1979 në Finlandë, mbërrin për herë të parë në portin e Durrësit. Është bregëzuar në kalatën nr. 4 dhe turistët e organizuar me autobusë janë nisur për të vizituar qendrat historike dhe arkeologjike të qyteteve të Durrësit dhe Tiranës. Kroçera ka mbërritur nga porti i Kotorrit (Mali i Zi) dhe në orën 20:00 vijon lundrimin drejt Korfuzit (Greqi). Ka një gjatësi prej 139 metrash, shpejtësi 19 nyja (35.19 km/orë), kapacitet 1550 udhëtarë, 554 automjete. Trageti turistik “Regina della Pace” është në pronësi të kompanisë kroate “Blue Line International” dhe rëndom është në shërbim në linjën Split (Kroaci)-Ankona (Itali).  

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/