DURRËS, 15 korrik 2014 –  Të martën, më 15 korrik 2014, ora 7:30 paradite, mbërriti nga ishulli grek i Korfuzit dhe u bregëzua në kalatën 5 të portit të Durrësit kroçiera amerikane Seven Seas Mariner e një kompanie të Majamit (Florida) e regjistruar në Bahamas.

Anija turistike do të qëndrojë deri në orën 19:00, teksa udhëtarët do të bëjnë vizita në Durrës dhe Tiranë.

Është vizita e dytë për këtë vit pas asaj të 13 prillit 2014.

JA ÇFARË U THUHET TURISTËVE PËR DURRËSIN

Durrësi, që ndodhet në bregdetin qendror shqiptar, rreth 33 km në perëndim të kryeqytetit, Tiranës, është qyteti më i lashtë dhe një nga më të rëndësishmit nga pikëpamja ekonomike të Shqipërisë, në brigjet e detit Adriatik në Mesdhe. Ndërsa janë ndërtuar shumë ndërtesa të reja publike dhe banimi, janë ruajtur monumente të qytetit të lashtë, si Monumenti i Rezistencës. Pastaj janë amfiteatri i antik, një stadium shumë mbresëlënës i ndërtuar nga romakët në shekullin e dytë, që shtrihet deri buzë detit, pra, mos u ngutni dhe vizitoni një Kolose romak mrekullisht të pacenuar në mes të qytetit.

Ndërsa zonat kryesore rekreative të Durrësit shtrihen në bregdet, me plazhet me rërë dhe ujëra të kthjellëta, qyteti ka shumë parqe dhe kopshte me lule. Vizitoni teatrin në natyrë [veror] që është ndërtuar në kodrat e qytetit. Mes ndërtesave të tjera të rëndësishme janë biblioteka kryesore, xhamia Fatih, teatri dhe estrada “Aleksandër Moisiu”, si dhe disa muze, si ai arkeologjik dhe vila e Ahmet Zogut.

Info

Seven Seas Mariner është anije turistike e tipit cruise (italisht: crociera) në pronësi të kompanisë amerikane Regent Seven Seas Cruises, me seli në Florida. Në vitin 2002 mori çmimin “Anija e Vitit”. Porti i regjistrit: Bahamas, Nassau. Ndërtuar nga Chantiers de l'Atlantique në Sen-Nazer (Saint-Nazaire), Francë, në shërbim nga viti 2001. Ka këto karakteristika: tonazhi 48.075 tonë, gjatësia 216.1 m, gjerësia 28.3 m, 8 kuverta, shpejtësia 20 nyja (37 km /orë), kapaciteti 700 udhëtarë, ekuipazhi 445 veta.

Shënim: Fotot janë të Edi Gjatës.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/