Durrës, 28 maj 2014 – Bashkia e Durrësit dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës kanë organizuar konferencën  “Mbështetja italiane për forcimin e kapaciteteve dhe promovimin ekonomik në Qarkun Durrës”. Ky aktivitet përmbylli projektin 2 vjeçar "Ngritje Kapacitetesh dhe Promovimi Ekonomik në Bashkinë Durrës", me partner lider La Spezia EPS dhe partnerë përfitues Bashkia Durrës dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës. 

Në këtë konferencë merrnin pjesë përfaqësues nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria Italiane e Zhvillimit Ekonomik, përfaqësues të ambasadës italiane, Unioncamere Italia, Dhomat e Tregtisë italiane partnere në projekt, prezenca e lartë italiane në Shqipëri, autoritetet qendrore e lokale dhe komuniteti i biznesit.

Në fjalën e tij kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi se përmirësimi i klimës së biznesit si dhe thithja e investimeve të huaja mbeten prioritetet më të rëndësishme të politikave të Bashkisë Durrës, si një parakusht për zhvillimin e sipërmarrjes, krijimin e një ambjenti të lirë konkurrues, zgjerimin e tregut dhe rritjen e punësimit.

“Shumë interesant është studimi i besueshmërisë për ngritjen e një qendre panairesh në territorin e Bashkisë dhe ky projekt mundësoi studimin paraprak për një qendër të tillë. Me anë të këtij studimi Bashkia do të bëjë të gjitha përpjekjet për të siguruar një grant nga qeveria qëndrore si dhe për të gjetur donatorë të tjerë që do të mbështesin  financiarisht investimin për ndërtimin e kësaj qendre. Përmirësimi i klimës së biznesit si dhe thithja e investimeve të huaja mbeten prioritetet më të rëndësishme të politikave të Bashkisë Durrës, si një parakusht për zhvillimin e sipërmarrjes, krijimin e një ambjenti të lirë konkurrues, zgjerimin e tregut dhe rritjen e punësimit. Këto synime kërkojnë padyshim një qasje të re për partneritetin me biznesin, si një marrëdhenie bashkëpunimi efikas, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Me kënaqësi mund të them sot, në përmbyllje të projektit, se kemi dhënë një provë të sigurt të mirëfunksionimit në Durrës të partneritetit Bashki – Biznes dhe sigurisht shfrytëzoj rastin për t’i përcjellë një falenderim të veçantë partnerëve italianë që na mbështetën në këtë drejtim.”,- tha kryebashkiaku Dako.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/