DURRËS, 18 gusht 2013 – Jo vetëm zona Shkëmbi i Kavajës-Golem, por edhe mbi 300 familje në lagjen nr. 13 të qytetit të Durrësit kanë mbi dy javë që vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Ndonëse paguajnë faturat, banorët e kësaj lagjeje të madhe ankohen se nuk kanë ujë në rubinetet e tyre prej me shume se 15 ditësh. Ata kërkojnë ndërhyrjen e Avokatit të Popullit, kryebashkiakut të Durrësit, ministrit të Punëve Publike dhe Transportit e madje të Kryeministrit, duke akuzuar për korrupsion drejtuesit dhe punonjësit e Ujësjellës-Kanalizimeve sha, që janë të lidhur me tregtarët e ujit të ambalazhuar apo dhe me pronarët e boteve. Prandaj dhe ndërprerja e ujit konsiderohet e qëllimshme. Banorët thonë se kanë trokitur disa herë në zyrat e ndërmarrjes, por askush nuk i dëgjon. Kështu durrsakët e Shkozetit penalizohen dyfish: njëherë në sahatin matës dhe pastaj në botet private, shto këtu mundimin për ngjitjen e bidonëve dhe kazanëve të rëndë në katet e sipërme të godinave, ku mungojnë dhe ashensorët. Po ashtu janë shprehur të revoltuar dhe shumë emigrantë që kanë ardhur për pushime në vendlindje nga Greqia dhe Italia dhe nuk e konceptojnë dot se si mund të jetohet pa ujë për dy javë. Këto ditë të nxehta vere, kur popullsia e Durrësit dyfishohet (vetëm të shtunave e dielave vijnë nga Tirana dhe Elbasani mbi 150 mijë pushues), ndjehet së tepërmi nevoja për burimin e jetës. Vërehet se ka një shkrehje të jashtëzakonshme pune që ka përfshirë administratat e ujësjellësit, ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, institucionit të Prefektit të qarkut, ndaj dhe përfitojnë abuzues të ndryshëm.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





