(foto ilustruese)

Dita e djeshme ka qenë një ditë mjaft fatlume për një nga mbledhësit e kanaçeve në qytetin e Durrësit. Si çdo ditë tjetër, ai ka nisur punën e përditshme, pa i shkuar mendja se në një ditë të vetme do të nxirrte aq para, sa ndoshta si bën për disa muaj me rradhë.

Dëshimtarë të pranishëm në vendngjarje rrëfejnë për DurrësLajm, se një ditë më parë, në kazanët e mbeturimave pranë drejtorisë së Ujësjellësit, një anëtar i komunitetit rom, ndërsa po trazonte mes kazanëve për të gjetur ndonjë kanaçe, shishe plastike ose ndonjë send tjetër me vlerë për të është ndeshur me shumën e konsiderueshme të parave.

Madje, ai u ka rrëfyer edhe kalimtarëve, se pikërisht në njërin nga kazanët ka gjetur 60 mijë lekë të reja.

Të pranishmit kanë përgëzuar fatlumin për “thesarin” e gjetur, ndërkohë që ky i fundit është larguar menjëherë nga vendngjarja, pasi atyre parave mund t’u dilte i zoti.

Nuk dihet ende sesi shuma e parave ka përfunduar në kazanët e mbeturinave, por mendohet se ndonjë pakujdesi e të zotit të parave apo familjarëve të tij mund të ketë bërë që paratë të përfundonin në plehra.

Familja e mbledhësit të kanaçeve ditën e djeshme i është gëzuar fatit të mirë, ndërsa familja apo familjari që i humbi ato ndoshta vuan pasojat e kësaj pakujdesie…