Pritet debat nga ana e opozitës rreth projektvendimit për miratimin e strukturës dhe rregullores së bashkisë.
· Një risi më vete paraqet projektvendimi për miratimin e fondit prej tre milionë lekë për ndërfaqësimin me web services të sistemit financiar të bashkisë me sistemin e faturimit të Ujësjellës Kanalizimeve Durrës sha për taksat dhe tarifat e popullatës
DURRËS, 19 dhjetor 2013 – Këshilli bashkiak po nxiton të rifitojë kohën e humbur, pasi brenda muaji të fundit të vitit, mblidhet dy herë. Të hënën më 23 dhjetor 2013 ora 11.00 zhvillohet mbledhja e Këshillit Bashkiak, njofton sekretarja e tij Meliha Maloku. Me sa duket, "parlamenti" i qytetit po shfrytëzon dhe ditët e fundit të vitit. Mes katër pikave, është dhe ajo e shtyrë nga mbledhja e mëparshme, e 2 dhjetorit 2013, për miratimin e listës shtesë të pronave të paluajtshme publike që kërkohet të kalohet në pronësi të bashkisë. Pritet debat nga ana e opozitës rreth projektvendimit për miratimin e strukturës dhe rregullores së bashkisë. Një risi më vete paraqet projektvendimi për miratimin e fondit prej tre milionë lekë për ndërfaqësimin me web services të sistemit financiar të bashkisë me sistemin e faturimit të Ujësjellës Kanalizimeve Durrës sha për taksat dhe tarifat e popullatës. Është parashikuar shqyrtimi dhe miratimi i daljes nga përdorimi të inventarit të imët, materialeve në magazinë, inventarit ekonomik dhe pajisjeve elektronike dhe informatike në bashki për vitin 2013.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





