·        U miratuan njëzëri 5 nga 6 çështjet e rendit të ditës

·        U shty për një seancë të radhës projektvendimi “Për miratimin e emërtimit të Qendrës Kulturore të Fëmijëve Durrës ‘Shpëtim Myshketa’” pasi të verifikohet ligjshmëria e emrit “Met Hasa”

·        PS Durrës, në pozitë të vështirë para veteranëve të Luftës Antifashiste  Nacionalçlirimtare dhe familjeve të dëshmorëve në prag të 70-vjetorit të Çlirimit të vendit, por edhe para PD-së, me të cilën ishte rënë dakord paraprakisht

DURRËS, 17 nëntor 2014 – Të vdekurit sjellin pështjellim mes të gjallëve dhe në një mbledhje të këshilltarëve të qeverisjes vendore të Durrësit.

Ka filluar me 30 minuta vonesë mbledhja e ngutshme e këshillit të bashkisë Durrës më 17 nëntor 2014, e planifikuar në orën 12:00, gjë që shkaktoi dhe një reagim të grupit të këshilltarëve të PD-së.

Në rendin e ditës së “parlamentit” të qytetit ishin parashikuar të miratoheshin 6 projektvendime të përgatitura nga “qeveria” bregdetare:

Për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” z.Sokol Olldashi”.

Për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” z.Alfred Moisiu”.

Për miratimin e emërtimit të Qendrës Kulturore të Fëmijëve Durrës “Shpëtim Myshketa”.

Për propozim për dhënien e ndihmës ekonomike për periudhën 1-30.11.2014.                                                                           

Për shqyrtimin dhe miratimin e ndryshimit të vendimit të Këshillit Bashkiak nr. 150 datë 13.10.2013 “Për miratimin e strukturave organizative dhe rregulloreve te brendshme të funksionimit të ndërmarrjeve dhe institucioneve në varësi të Bashkisë Durrës”.

Mbi dhënien pa kundërshpërblim drejtorisë rajonale të formimit profesional publik të ambientit me sipërfaqe të përgjithshme 160 m katror, pjesë e godinës së ish-URT-së, pronë e Bashkisë, për një afat kohor deri më datë 23.3.2016.

U miratuan njëzëri 5 nga 6 çështjet e agjendës.

U shty për një mbledhje të radhës projektvendimi “Për miratimin e emërtimit të Qendrës Kulturore të Fëmijëve Durrës ‘Shpëtim Myshketa’”.

INCIDENTI “MET HASA”-“SHPËTIM MYSHKETA"

Pati një debat të shkurtër për projektvendimin “Për miratimin e emërtimit të Qendrës Kulturore të Fëmijëve Durrës ‘Shpëtim Myshketa’” midis kryetarit të Këshillit të Qarkut z. Alfred Mullaraj; drejtorit të arsimit, kulturës, sportit, rinisë, komuniteteve fetare në bashki z. Ardian Gurra; këshilltarit të PD-së z. Seid Kërtusha; këshilltarit socialist dhe kryetar i komisionit të këshillit të arsimit, kulturës, sportit, rinisë, komuniteteve fetare, z. Bardhyl Agasi; këshilltarit demokristian Skënder Koni; këshilltares së PS-së znj. Veziko Kërraj, këshilltarëve të PD-së Armand Teliti dhe Pëllumb Berisha etj.

Incidenti kishte të bënte me  problemin nëse ish-shtëpia e pionierit deri në vitin 1994, që mbante emrin dhe bustin e Heroit të Popullit 15-vjeçar Met Hasa, tani me shndërrimin në qendër kulturore të fëmijëve (QKF), a duhet të vazhdojë të quhet me emrin e mëparshëm, apo të ndryshohet.

Doli se propozimi për vënien e emrit “Shpëtim Myshketa” (ish-drejtor i drejtorisë arsimore rajonale), është bërë nga DAR-i, që është bashkëpërgjegjës me bashkinë për QKF-në: institucioni duhet ta dinte historikun e emrit.

Z. Seid Kërtusha u shpreh se me këtë pezullim të papritur, mund të ketë shtyrje deri në kalendat greke. 

Kërtusha kritikoi faktin pse nuk u zgjidh ky ngërç paraprakisht në komisionin përkatës, pasi të gjithë këshilltarët vihen në pozitë të vështirë para familjarëve.

U tha nga folësit se emrin e Met Hasës mbajnë një shkollë 9-vjeçare dhe një kopsht.

U propozua që të merret një vendim për heqjen e emrit Met Hasa dhe pastaj të procedohet me emrin e të ndjerit Shpëtim Myshketa.

Kryebashkiaku z. Vangjush Dako garantoi se shqyrtimi nuk do të shtyhet në kalendat greke.

Me sa duket, z. Dako nuk dëshiron, tani për tani, të “ngatërrohet” me elektoratin e veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe familjeve të dëshmorëve në prag të 70-vjetorit të Çlirimit të vendit.

INFO  PËR MET HASËN

“Kam pasur fatin të jem bashkëmoshatar me jetimin durrsak, partizanin dhe Heroin e Popullit Met Hasa.

Çfarë e shtyu atë djalë, që në nëntorin e vitit 1944 të hidhej dhe të mbulonte me gjoksin e tij grykën e mitralozit “Shars “nazist, për t’u hapur rrugën shokëve të tij partizanë drejt çlirimit të Shqipërisë?

Përgjigja është shumë e thjeshtë: dashuria për atdheun dhe dëshira e zjarrtë që fëmijët e Shqipërisë të bënin një jetë më të mire se ai, të jetonin në paqe e begati. Kështu, Met Hasa, jetimi-hero u kthye në një legjendë të pavdekshme.

Mbasi edhe gjermanët, kur e gjetën Metin të nesërmen të përvëluar nga plumbat në gjoksin e tij të njomë, ashtu të mbështetur mbi mitralozin e tyre, edhe pse ishin pushtues, armiq dhe luftonin kundër Metit e shokëve të tij, – e varrosën trimin tone të vogël me nderimet ushtarake dhe me batare pushkësh.

Ushtarët “e pathyeshëm” gjermanë nderuan trimin gjashtëmbëdhjetëvjeçar shqiptar, u thyen përpara guximit e trimërisë se këtij fëmije-hero!”

Nga Akademiku Bedri Dedja (1930-2004)

INFO PËR SHPËTIM MYSHKETËN

Më 11 qershor 2014, Personaliteti durrsak, Shpëtim Myshketa, është nderuar me titullin “Fisnikëria e qytetit”, pas vdekjes. Titulli i është dorëzuar gruas së tij, nga kryebashkiaku Vangjush Dako.

Për shumë breza me radhë, Shpëtim Myshketa kujtohet si profesori i nderuar,  intelektuali me vlera të rralla, shkrimtari, përkthyesi dhe publicisti.

Myshketa, përveçse profesor, ka kryer edhe detyra të rëndësishme shtetërore si kryetar i këshillit të parë pluralist të Durrësit, kryetar i Këshillit Kombëtar të Zhvillimit të Strategjive të Arsimit Shqiptar, drejtor i Drejtorisë Rajonale Arsimore Durrës etj.

Nga bashkia Durrës

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/