DURRËS, 22 korrik 2014 –  Për herë të parë këshilli drejtues i shoqërisë publike / shtetërore Autoriteti Portual Durrës bëri një mbledhje me dyer të hapura [nënkuptohet, me… mediet!], që pastaj i vazhdoi punimet me dyer të mbyllura, hap, i cili, gjithsesi, mbetet për t’u përshëndetur.

Më 22 korrik 2014, në sallën e konferencave të një hoteli të njohur në rrugën “Taulantia” të qytetit të Durrësit, u zhvillua mbledhja e radhës e këshillit drejtues të ndërmarrjes shtetërore Autoriteti Portual Durrës (APD), ku si temë qendrore ishte diskutimi mbi raportin dhe pasqyrat financiare për vitin 2013, hartuar nga auditori i pavarur Artan Xhani i UHY Elite shpk.

Hapi mbledhjen z. Gentian Beqiri, kryetar i këshillit drejtues, përfaqësues i Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës.

Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i APD-së z. Selim Belortaja sqaroi mediet e pranishme se ç’është APD-ja, këshilli drejtues, drejtoria e përgjithshme ekzekutive.

Z. Belortaja tha se viti 2013 dhe ai në vazhdim ishte i jashtëzakonshëm, me punë të madhe dhe reforma radikale, ndryshime të thella, shoqëruar me defekte për shkak të vështirësive që janë shkaktuar nga koncesionet.

Kjo gjë që ka ndikuar në atë që të ardhurat të realizohen në masën 96,6 për qind, kurse shpenzimet 98 për qind.

Kurse si 6-mujor 2014, vëllimi i punës në tonë është realizuar 89 për qind, në lëvizjen e udhëtarëve 84 për qind, kurse të ardhurat 102 për qind.

Por në një gjendje shumë të rëndë paraqiten investimet, që janë realizuar në masën 31 për qind, që, sipas kreut të drejtorisë ekzekutive, ka të bëjë me 3-4 ankande të mbivendosura, dhe se 6-mujori i parë është periudhë përgatitjesh për tenderët, që do të realizohen gjysmën tjetër të vitit.

Drejtori i administrimit dhe financës z. Gëzim Agasi shpjegoi me hollësisht me tabela problemet financiare.

Bënë pyetje kryetari i Këshillit Drejtues, Gentian Beqiri dhe kryeinspektori i Inspektoratit Qendror Teknik, institucion shtetëror kombëtar në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Ardian Çela, ende anëtar i këshillit drejtues (?!) duke përfaqësuar bashkinë e Durrësit.

Për hendekun në realizimin e të ardhurave dhe ndërhyrjet në përllogaritje dhanë shpjegimet e veta auditori i pavarur z. Artan Xhani dhe z. Agasi.

Më pas mbledhja ka vazhduar punimet me dyer të mbyllura.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/