Ditën e sotme, nën kujdesin e Prefektit të Qarkut Durrës Roland Nasto u zhvillua takimi i radhës së Task Forcës Vendore Antikanabis.

Në fjalën e tij, prefekti bëri një panoramë të situatës për vitin 2019 dhe për muajt e parë të 2020.

Në fuksion të zbatimit të Planit të Veprimit Kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit u kërkua bashkëpunim ndërmjet institucioneve, koordinim dhe shkëmbim informacioni në kohë reale nga të gjithë strukturat ligjzbatuese në mënyrë të veçantë nga bashkitë sipas detyrimit, përgjegjësisë mbi kontrollin dhe menaxhimin e teritorit të qarkut të Durrësit si një qark me risk të lartë me qëllim marrjen e masave të duhura në kohë për parandalimin dhe zhdukjen e plotë të këtij fenomeni.

“Edhe pse ndodhemi në një situatë jo të zakonshme të krijuar nga COVID -19, luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit do t’i kushtohet vëmendje e veçantë. Qarku i Durrësit duhet të dalë nga harta e kultivimit të kanabisit”,– tha prefekti Nasto.

Në këtë takim ishin të pranishëm Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë së Qarkut Durrës Lorenc Shehu, përfaqësues nga Drejtoria Vendore e Policisë, përfaqësues nga institucionet anëtarë të Task-Forcës Vendore Anti Kanabis si dhe përfaqësues nga bashkitë e degët territoriale të Qarkut Durrës.