Pas tre vëllimeve me poezi, autori Ilir Paja sjell për lexuesin një zhanër të ri, të palëvruar më parë prej tij.

Romani “Kronikë pa qytet” u promovua mbrëmjen e së mërkurës për herë të parë në Durrës, pas pritjes së mirë që autori pati në panairin e librit, të mbajtur në kryeqytet ditë më parë.

Ngjarjet e romanit vendosen në qytetin e Durrësit, në vitet e tranzicionit shqiptar, dhe megjithëse emri i qytetit nuk përmendet askund, ai nënkuptohet nëpër rreshtat dhe kapitujt e librit.

“Janë ngjarjet e viteve ’90 me ato përmbysjet e shumta të jetës sonë. Në fakt ishte një shtysë që unë nuk mund ta lija. Pavarësisht se Durrësi nuk përmendet gjëkundi, të gjithë lexuesit, sa ta prekin librin do ta shohin që janë lagjet, banorët, koha e shkuar e tij, të gjitha bashkë”,- tha për “DurrësLajm” autori Paja.

Megjithëse këtë herë shkruan në prozë, poezia vazhdon fle në ndërgjegjen e autorit dhe kjo shfaqet bukur në stilin e të shkruarit.

Për vlerat e romanit dhe të autorit Ilir Paja u diskutua në një panel emrash të njohur të letrave në Durrës. ku mes të tjerave shkrimtari Bardhyl Agasi kujtoi atë që Moikom Zeqo i kishte thënë vite më parë për Pajën.

“Nuk të lavdëronte lehtë Moikom Zeqo sepse kishte kërkesa. Kur lexoi esenë, që Ilir Paja kishte bërë për të më mori në telefon gati në mesnatë dhe më tha: ‘Bardhi nuk njihem me Ilir Pajën, më ka lënë mbresë jo sepse ka shkruar për mua, por për mënyrën sesi e ka ndërtuar këtë ese, tamam në mënyrë shkencore dhe letrare”.

Ndërsa Bashkim Hoxha shton, se “është një vështrim interesant prej poeti i një proze të jetës, ku secili i harruar ndihet i rëndësishëm. Një roman ku historia lëviz me ritmin e një poezie për të analizuar disa të vërteta të mëdha të shoqërisë.”

“Në shtjellimin e tij, ai thuajse nuk ndalet veçanërisht në përshkrime ngjarjesh konkrete, madje çuditërisht edhe portretizimi i personazheve mungon. Autori ka preferuar të flasë vetë dhe e folura e tij është sa prediktative, aq edhe filozofike“, thotë shkimtari Shpend Topollaj nga ana tjetër.

Këtë sprovë të parë letrare të kaluar me sukses, Paja kërkon ta vijojë, sepse në planet e tij të afërta është një tjetër roman.

“Do ta shijoj këtë si libër, por nuk e mohoj që kam filluar të bëhet gati sërish. Ndoshta me ndonjë fjalë, a ndoshta ndonjë rresht, por e shoh, që pas njëfarë kohe do të dal prapë me një libër të ri“, shprehet ai.

M.B.