·       Shembull i bashkërendimit arsim-kulturë-biznes, kështu ndërgjegjësohen nxënësit dhe gjimnazistët për trashëgimin e pasur historike dhe marrin koncepte me standarde evropiane për një sipërmarrje specifike  

DURRËS, 4 qershor 2015 – Kur arsimi bashkëpunon me kulturën dhe sipërmarrjen, natyrisht ky është kumt domethënës dhe që duhet mbështetur sidomos kur bëhet fjalë për një qytet kaq të pasur me monumente kulture, sikurse është Durrësi.

Në kuadrin e një projekti të mbështetur nga SEECEL (The South East European Centre for Entrepreneurial Learning – “Qendra e të Mësuarit për Sipërmarrjen e Evropës Juglindore”, ku bëjnë pjesë Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Turqia), nxënës të shkollës 9-vjeçare “Jusuf Puka” të Durrësit u kushtuan një veprimtari pikërisht sipërmarrjeve, që lidhen me trashëgiminë kulturore dhe turizmin kulturor. Në bashkëpunim me drejtorinë rajonale të kulturës kombëtare (DRKK) Durrës, “Jusuf Puka” e zhvilloi finalizimin e aktivitetit në mjediset e Forumit Bizantin të Durrësit (Rotondës).

DRKK-ja thotë se, sipas rregullit të rrjetit “Miku i Monumentit”, vullnetarët e këtij rrjeti, nga gjimnazi “Naim Frashëri”, të cilët kanë birësuar Forumin Bizantin, ishin të pranishëm për të mbikëqyrur aktivitetin, në funksion të mbrojtjes dhe përkujdesjes për monumentin. Këtë veprimtari e vizitoi edhe Ministrja e Kulturës, zonja Mirela Kumbaro, menjëherë pas prezantimit të projektit të Termave Romake. Ministrja u njoh nga afër me veprimtarinë e fëmijëve për promovimin e trashëgimisë, hartimin dhe realizimin e guidës, prodhimin dhe shitjen e produkteve të kulinarisë vendore, si dhe performancën artistike me këngë e valle burimore. Ministrja përshëndeti, gjithashtu edhe vullnetarët e gjimnazit “Naim Frashëri”, për prezencën e tyre aq të vlefshme në aktivitet.

Ky është shembull bashkërendimi arsim-kulturë-biznes, kështu ndërgjegjësohen nxënësit dhe gjimnazistët për trashëgimin e pasur historike dhe marrin koncepte me standarde evropiane për një sipërmarrje specifike.  

 

 

 

 

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/