Në qytetin e Durrësit, Inspektoriati për Mbrojtjen e Territorit ka mbyllur kalesat e paligjshme të cilat janë kthyer në një shqetësim për Drejtorinë e Hekurudhave pasi janë burim aksidenti.
“Pikërisht në këtë vend ku ndodhemi këtu është ndërmarrë një aksion i tillë për prishjen e kalesave, por nga ana e banorëve është rimbyllur kanali dhe është bërë kalimi i mjeteve dhe këmbësorëve duke rrezikuar jetën e qytetarëve, për këtë arsye kemi urdhëruar prishjen e të gjitha kalesave”, thotë Ardian Halili, kreu i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit Durrës.
Aksioni i i Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit erdhi pas kërkesës së Drejtorisë së Hekurudhës për mbylljen e këtyre kalesave që deri tani u kanë marrë jetën 2 personave në aksidente hekurudhore.
“Ky është një shqetësim që është ngritur hera pas here jo vetëm në qytetin e Durrësit por në të gjithë Shqipërinë. Problematikat janë të mëdha se rrezikohet jeta e qytetarëve dhe lëvizja e trenave në drejtime të ndryshme. Në të gjithë rrjetin hekurudhor ka problematika të tilla, por ne kemi kërkuar me ngulm për mbylljen e këtyre kalesave nga IKMT”, shprehet Ani Dyrmishi, drejtori i Hekurudhës Shqiptare.
Zgjidhja përfundimtare e këtij problemi mbetet rrethimi nga te dyja anët e linjës hekurudhore për t’i dhënë fund kalimeve të automjeteve dhe këmbësorëve në shinat e trenit.
“Jemi në proces për projektin Durrës-Tiarnë dhe linja e re drejt Rinasit që pritet të fillojë në fillim të Janarit 2019 dhe me projektin e ri të rrethimit të hekurudhës i jepet fund kësaj problematike”,- tha Dyrmishi.
Sipas ekspertëve, kalimet në nivel përgjatë gjithë kësaj linje hekurodhore janë problematike, pasi mungojnë barrierat dhe gjysmë barrierat, si dhe sinjalistika e duhur. /tvklan





