DURRËS, 13 dhjetor 2014 – AIDA (inicialet anglisht: Albanian Investment Development Agency – Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve) ka zhvilluar të shtunën, më 13 dhjetor 2014, në Durrës, fazën përmbyllëse të fushatës së ndërgjegjësimit për të informuar dhe ofruar bashkëpunim për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në të gjitha qytetet e vendit.
Seria e takimeve në tryeza të rrumbullakëta mblodhi të gjithë protagonistët e “Javës së SME-ve shqiptare”. I pranishëm në veprimtari, zëvendësministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Alban Zusi tha:
“Duket qartazi se qeveria ka në fokus sipërmarrjen e vogël dhe të mesme dhe kjo reflekton në dyfishimin e fondeve të menaxhuara nga AIDA që ajo vë në dispozicion të biznesit”.
Nisma u mbështet nga partnerë si Koperacioni Italian për Zhvillim, Albinspekt dhe Intesa San Paolo Bank, të paraqitën skemat e tyre të financimit në formën e granteve apo kredive. Në fund të këtij takimi u shpërndanë certifikata për bizneset, të cilëat kanë përfituar nga skemat e grantit të financimit të menaxhuar nga AIDA.
Manjolë Gjoni, drejtore ekzekutive e AIDA-s tha:
“Falënderoj bizneset e pranishëm, të cilët si rrallë ndonjëherë kanë qenë të konsiderueshëm në numër. Rreth 90 për qind e gjithë bizneseve në vend janë ndërmarrje të vogla dhe të mesme dhe ato kanë në total 95 për qind të personave të punësuar.
Duke i konsideruar partnerë të rëndësishëm për ekonominë e vendit, AIDA, në funksion të veprimtarisë së saj, synon të ndërmarrë të gjitha nismat e nevojshme në mbështetje dhe në përmirësimin e kapaciteteve prodhuese të Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme (NVM), në certifikimin e produkteve, në krijimin e markave shqiptare, në gjetjen e tregjeve të huaja, si dhe në nxitjen dhe inkurajimin e eksporteve të mallrave e shërbimeve.
Në përmbushjen e këtij misioni, AIDA menaxhon fonde të akorduara nga qeveria shqiptare të cilat janë vënë në dispozicion të biznesit shqiptar.
Për këtë u bj thirrje të gjithë bizneseve të jenë më aktive në thithjen e informacionit. duke aplikuar në këto fonde në mënyrë që ato të shtohen vitin që vjen. Gjithashtu, sjell në vëmendjen e të pranishmëve praktikën e suksesshme iniciuar nga MZHETS dhe mbështetur nga AIDA në krijimin e paketës lehtësuese për sektorin fason, e cila u vlerësua edhe nga bizneset pjesëmarrëse”.
Andrea Xhavara, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës nënvizoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve të qeverisë me dhomat e tregtisë dhe industrisë. Xhavara propozoi lidhjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi midis AIDA-s dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





