Durrës, 21 prill 2014 – Në një intervistë për gazetën “Panorama” babai i emigrantit Gentian Peta, që u hodh nga trageti kur po kthehej nga Gjermania në Durrës, tregon bisedën e fundit që ka bërë në telefon me të birin një natë para ngjarjes. Godo Peta shpjegon se djali u kishte thënë se do të kthehej, ndërsa nuk u kishte lënë të kuptonin asgjë nëse ishte i mërzitur apo kishte ndonjë problem. Babai i emigrantit shprehet se i biri kishte dy vjet që punonte si emigrant në Gjermani dhe vetëm tani e kishin zbuluar autoritetet që kishte shkelur afatin 3- mujor të qëndrimit në zonën “Shengen” dhe për këtë arsye i kishin kërkuar që të kthehej në Shqipëri.
Ai tregon se fliste shpesh me të birin, madje bashkëshortja e tij kishte shkuar çdo tre muaj në Gjermani për ta takuar. Herën e fundit, në janar të këtij viti, ajo kishte qëndruar 3 muaj atje bashkë me njërin nga djemtë. Ndërsa në lidhje me ngjarjen, babai i 39-vjeçarit shprehet se nuk ka asnjë shpjegim për veprimin e të birit dhe ende nuk është i qartë se çfarë ka ndodhur.
Kur keni folur për herë të fundit me djalin tuaj?
Një ditë para se të ndodhte ngjarja folëm me të. Mori të ëmën në telefon dhe i tregoi se ishte i detyruar të kthehej në shtëpi, pasi e kishin zbuluar që kishte shkelur afatin e qëndrimit. Autoritetet gjermane i kishin lënë afat deri në fund të këtij muaji që të kthehej në Shqipëri, por na tha se do të nisej të nesërmen.
Si ishte kur folët me të në telefon, ishte i shqetësuar apo ju tha se kishte ndonjë problem?
Jo, absolutisht asgjë. Ishte shumë i qetë. Na foli shumë mirë, si përherë. Madje na u duk sikur po vinte me qejf në shtëpi, pasi ai mund të rrinte deri në fund të këtij muaji, siç i kishin thënë ata, por derisa po nxitonte, menduam se e ka marrë malli dhe donte vetë të kthehej më shpejt.
POLICIA E DURRËSIT NIS HETIMET
Policia e Durrësit ka nisur hetimet për ngjarjen e rregjistruar mëngjesin e së shtunës, kur 39-vjeçari Gentian Peta, që po kthehej nga Gjermania, u hodh nga trageti rreth 12 milie larg bregut. Hetimet e policisë nisën pas deklarimeve të disa pasagjerëve të mjetit lundrues për vonesa të stafit të tragetit, për t’i ardhur në ndihmë emigrantit të hedhur në det. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje varka e shpëtimit nuk u ul në kohën e duhur, por me mjaft vonesë, për shkak se vinçi ishte jashtë funksionit.
Sipas disa prej pasagjerëve, nëse ndihma do t’i ishte ofruar menjëherë 39 vjeçari Gentian Peta do të kishte shpëtuar.
Me anë të një njoftimi, policia sqaroi se grupi hetimor i ngritur posaçërisht për hetimin e shkaqeve të ngjarjes, është duke verifikuar edhe proçedurën standarteve të veprimeve që kryhen nga stafi drejtues i tragetit “Bridge” në rastet e ngjarjeve të tilla.
/gazeta “Panorama”/





