DURRËS, 23 dhjetor 2013 – Orkestra e harqeve “Aleksandër Moisiu” të Durrësit uroi artdashësit për festat e fundvitit me një koncert, me vepra nga autorë shqiptarë dhe të huaj, njofton Gëzim Kabashi i ATSH-së. Në skenën e teatrit të qytetit dirigjenti Petrika Afezolli drejtoi koncertin e fundvitit, kushtuar Krishtlindjes dhe festës së vitit të ri, duke promovuar edhe disa artistë të rinj të muzikës lirike. Spektakli u hap me valsin e Johan Shtrausit “Zëra pranverorë”, ndërsa më pas në skenë u ngjit sopranoja Ilsid Çullhaj, e njohur për cilësitë e mira vokale. Tre ariet e përzgjedhura fituan duartrokitjet e publikut të pranishëm në sallën e teatrit “Moisiu”. Tre pjesë nga autorët Gardel, Villallobos dhe Piazzolla erdhën te dëgjuesit përmes interpretimit të kitaristit Dashamir Mehmeti. Tenorët Ardjan Kamberi dhe Julian Gjojdeshi sollën vepra të ndryshme nga autorë kryesisht italianë, dhe në të njëjtën kohë u vlerësuan për cilësitë e veçanta interpretuese. Gjojdeshi paraqiti potencialet e veta vokale, veçanërisht në interpretimin e këngës “O sole mio”, ndërsa Kamberi u dallua për përcjelljen e ngrohtë të mesazhit muzikor. Orkestra e harqeve “Aeksandër Moisiu” në pjesën e fundit interpretoi disa valse vjeneze, duke përfshirë edhe publikun në atmosferën festive të muzikës.
/Sipas ATSH-së, agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





