DURRËS, 6 shtator 2014 – Më në fund shteti zgjidh “qesen”, pas 40 vjetësh, për restaurimin e shtëpisë muze të aktorit shqiptar me famë botërore Aleksandër Moisiu (2 prill 1879-22 mars 1935), përveç dhe faktit se është dhe një konstruksion që i përket trashëgimisë kulturore në arkitekturë (meqë ra fjala, më 2 prill të këtij viti ishte dhe 135-vjetori i lindjes së Moisiut, që kaloi në heshtje; shpresojmë që autoritetet përkatëse të kujtohen në vitin 2015 kur të ketë 80-vjetorin e vdekjes).
Banesa e Aleksandër Moisiut, monument i kategorisë së parë, po u nënshtrohet disa punimeve mirëmbajtëse, njoftoi drejtoria rajonale e kulturës kombëtare.
Është ngjarje e rëndësishme kulturore, jo vetëm se me kalimin te kohës ndërtesa ka pësuar amortizime, por rrezikohej seriozisht nga mungesa e investimeve prej 40 vjetësh.
Të gjitha punimet po kryen nga një firmë restauruese e licencuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve.
Kjo banesë është ndërtuar në shek. XIX nga familje tregtare.
Në këtë banesë ka kaluar një pjesë të jetës “Aleksandër Moisiu”.
Në vitin 1973 u shpall monument kulture i kategorisë së parë.
Ky monument është një nga monumentet më të vizituara në qytetin e Durrësit, pasi në të ndodhen muzeu etnografik i kulturës popullore si dhe muzeu “Aleksandër Moisiu”,si dhe zyrat e drejtorisë rajonale të kulturës kombëtare Durrës-Tiranë-Elbasan (ish-atelieja e monumenteve të kulturës).
Info
Godina karakteristike durrsake ka dy kulla në miniaturë, të cilat lidhen nga ana arkitekturore me një çardak.
Struktura e jashtme është ndërtuar me gurë mesatarë katrorë.
Banesa që mbështetet në muret mesjetare të periudhës bizantine, është një nga godinat përfaqësuese të arkitekturës së viteve ‘900.
Shtëpia i takonte familjes së pasur Shallvari dhe në atë periudhë ishte seli e konsullatës angleze.
Banesa për disa vite u bë streha fëmijërore e aktorit të famshëm Aleksandër Moisiu.
Pusi karakteristik që ndodhet në oborrin e banesës lidhet me një stere (depozitë) të madhe nëntokësore për grumbullimin e ujërave të shiut, çka përbën një vlerë kulturore tjetër të kësaj godine.
Në dy dhoma të muzeut “Aleksandër Moisiu”, që u hap në vitin 1972, shpalosen në stenda biografia familjare dhe artistike të aktorit, mbështetur në dokumente autentike, kurse në dhomën e dytë paraqiten vepra arti të krijuesve vendas për figurën e artistit të madh.
Në mjediset e saj, gjatë viteve të fundit janë hapur një sërë ekspozitash me punime të artizanatit apo me vepra të krijuesve piktorë dhe skulptorë. Shtëpia muze ka qenë gjithashtu mikpritëse e veprimtarive të shumta kombëtare e lokale si, “Poeteka”, kolonive verore të piktorëve, etj.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





