· Bashkia e qytetit bregdetar prokuron 4,4 milionë dollarë për tre investime në infrastrukturë
· Korsi biçikletash, gjelbërim dhe ndriçim në rrugën “Pavarësia” në Plazh
DURRËS, 7 maj 2014– Me sa duket, merr fund “odiseja” disavjeçare e ndërtimit të një rruge paralel me murin e portit, që e kërkonte bashkia e Durrësit dhe e kundërshtonte PD-ja në “parlamentin” e qytetit, duke sfiduar dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.
Maji është muaj i “majmë” për investime nga bashkia e Durrësit, teksa ajo do të prokurojë vetëm në tre objekte infrastrukturore 445 856 075 lekë (rreth 4,4 milionë dollarë).
“Pjesën e luanit” e merr ndërtimi i rrugës së re paralel me murin e portit, me një fond prej rreth 273 milionë lekë; ky investim duhet të përfundojë për 365 ditë; kurse tenderi zhvillohet më 26 maj 2014.
Ky investim i rëndësishëm mendohet të lehtësojë dukshëm trafikun e automjeteve nga ura e Dajlanit.
Interesant është dhe projekti për realizimin e korsive të biçikletave, gjelbërimit dhe ndriçimit në rrugën “Pavarësia” në Plazh me një fond 170, 4 milionë lekë dhe që duhet të përfundojë për 180 ditë; tenderi më 22 maj 2014.
Më modest është fondi për rikonstruksionin e kuartallit ndërmjet rrugëve “Mustafa Pashë Bushati” dhe “Bajram Tusha” në Shkozet prej rreth 2,5 milionë lekësh; investimi do të bëhet brenda 60 ditëve; tenderi më 12 maj 2014 .
Info
Në një takim elektoral më 14 qershor 2013 kryebashkiaku Vangjush Dako ka deklaruar:
“Bashkia e Durrësit është hasur me bllokimin total të qeverisë që e pengon në çdo çast në punën e saj.
Ne si bashki e nisëm ndërtimin e rrugës paralel me murin e portit dhe qeveria na e bllokoi pasi qeveria vetëm këtë ka bërë ka bllokuar investimet e bashkisë së Durrësit vetëm se kryebashkiaku është socialist dhe në këtë mënyrë qeveria aktuale ka penalizuar vazhdimisht qytetarët e Durrësit.
Por pas 23 qershorit [2013] kjo situatë do të ndryshojë.
Bashkia e Durrësit do të kryejë një sërë investimesh të rëndësishme ku në shtator [2013] rinisin punimet për rrugën paralel me murin e portit që do të përfundojnë për një afat kohor prej një viti si dhe në janar 2014 fillojnë punimet për një projekt tjetër madhor siç është plazhi i Currilave”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





