Më 11 tetor 2013 ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka pretenduar për pamundësi të plotësimit të vendeve vakante për shkak se KLD-ja nuk ka përfunduar vlerësimin e dytë të karrierës për gjyqtarët konkurentë
DURRËS, 27 tetor 2013 – Brenda 10 ditëve, që kurse drejtoi vetë Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani dekreton dy gjyqtarë në Apelin e Durrësit, ashtu sikurse u vendos nga ai vet dhe shumica e anëtarëve të KLD-së të emëruar nga PD-ja.
ME SHUMICË VOTASH
Më 26 tetor 2013, Presidenca bëri publike dy dekrete (nr. nr. 8361 dhe 8362), që ishin nënshkruar 5 ditë më parë, më 21 tetor 2013, nga kreu i shtetit, z. Bujar Nishani. Dekretet flisin për emërimin e zz. Desart Avdulaj dhe Arjan Balliu, si gjyqtarë në Gjykatën e Apelit Durrës. Në fakt kjo ishte vendosur 10 ditë më parë. Nën drejtimin e Presidentit të Republikës z. Nishani, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi më 11.10.2013 mbledhjen plenare të radhës, ku Këshilli shqyrtoi kandidaturat për gjyqtarë për plotësimin e 3 vendeve vakante në Gjykatën e Apelit Durrës (në foto). Pas përfundimit të procesit të votimit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë me shumicë votash, vendosi transferimin në këtë gjykatë të gjyqtares Meriban Mullaj si dhe t’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin e gjyqtarëve Desart Avdulaj dhe Arjan Balliu, thuhet në njoftimin zyrtar të KLD-së.
RAST I PAPRECEDENT
Mbledhja e 11 tetorit 2013 e KLD-së do të mbahet mend për kundërvënien e z. Nishani dhe anëtarëve të tjerë të Këshillit, të caktuar këtu nga PD-ja, ndaj ministrit të Drejtësisë z. Nasip Naço. Është një rast i paprecedent në historinë e KLD-së, por edhe në trupat analogë të vendeve të tjera kur kreu i shtetit i kundërvihet hapur një ministri drejtësie, jo vetëm në mbledhje, por dhe me deklarata për shtyp. Kështu të emëruarit nga PD-ja në KLD, deklaruan se “Pretendimet e Ministrit të Drejtësisë për pamundësi të zgjedhjes së drejtuesve të gjykatave apo plotësimit të vendeve vakante për shkak se KLD-ja nuk ka përfunduar vlerësimin e dytë të karrierës për gjyqtarët konkurentë, anëtarët e tjerë të Këshillit i konsideruan unanimisht nga si të pabazuara në ligj, aspak realiste dhe një tentativë për ndërhyrje politike në sistemin e drejtësisë. Prapaskena politike e këtij qëndrimi përforcohet edhe nga deklarata vijuese e Zëvëndësministrit të Drejtësisë z. Isaraj”.
OPOZITA KUNDËR NDËRKOMBËTARËVE
Qarqet diplomatike të Tiranës e kanë konsideruar këtë konflikt jo thjesht të PD-së me mazhorancën e re dërmuese, por kundërvënie të opozitës ndaj bashkësisë ndërkombëtare (SHBA, BE, Transparency International etj.) që e kanë akuzuar gjyqësorin shqiptar si të korruptuar dhe me emërime politike dhe ku duhen bërë spastrime.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





