Më shumë se 2 vite pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, banorët e pallatit nr.15 në lagjen nr.12 të Durrësit nuk dinë ende fatin e godinës.

Sipas banorëve, pavarësisht protestave të tyre të vazhdueshme dhe kërkesës për të marrë një informacion konkret nga bashkia Durrës lidhur me godinën 12 katëshe me dëmtime DS4, ata janë të paqartë nëse pallati do të shembet apo do të riforcohet.

U bë tre vjet, asnjë lloj përgjigjeje. Janë 60 familje që presin. Pallatet e tjera që janë më copë copë sesa i yni janë duke u rregulluar, vetëm pallati jonë s’ka asnjë lloj përgjigjeje. Duam të dimë: Do bëhet, s’do bëhet, do prishet, s’do prishet”,– tha një prej banorëve.

Banorët kërkojnë rikthimin sa më shpejt në banesat e tyre.

Prej tërmeti e deri tani po bëjmë dy vite, që rrimë përjashtë. Nga bashkia duam që të vijnë të fillojnë punën“,- deklaroi njëra nga familjaret.

“DurrësLajm” mëson nga bashkia Durrës se akt-ekspertiza e thelluar e pallatit të ndërtuar nga kompania “Gora” është për oponencë në Institutin e Ndërtimit. Deri më tani instituti në fjalë nuk ka kthyer një përgjigje në institucionin e qeverisjes vendore.

Fati i pallatit në fjalë varet nga përgjigja që do të sjellë Instituti i Ndërtimit, akt-ekspertiza e të cilit pritet të vendosë nëse objekti duhet demoluar për shkak se kostoja e riforcimit kalon mbi 70% të vlerës së pallatit.

M.B.