Rrëfimi tronditës: “Unë sot jam në depresion total, jo se i mbijetova sulmit të dy grabitësve, por sepse nuk mund të punoj dot më. Jam bërë të vras veten. Nëse e bëj këtë gjë, ju e dini shkakun: më morën mjetin që më ushqen me bukë të gjithë familjen”

DURRËS, 17 shkurt 2014 –  Meçan Osmani, 61 vjeç, pronar i një autoshkolle në qytetin e Durrësit, ka rënë pre e dy grabitësve që hiqeshin si punonjës policie. Dy të rinj të moshës 25 e 30 vjeç, i kanë grabitur “Benz”-in 200 me targa AA401BP nën kërcënimin e një pistolete. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21 të mbrëmjes së 16 shkurtit 2014 në një rrugicë të ngushtë pranë zonës së Vaqarit në Tiranë. Dy grabitësit e kanë lënë të plagosur e pa ndjenja, duke i marrë gjithçka kishte babait të dy fëmijëve, banor i lagjes nr. 11 në Durrës. Policia e Tiranës ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes,megjithatë, asnjë prej dy autorëve nuk është identifikuar ende nga blutë e kryeqytetit. Osmani deklaroi në një intervistë se policia u lajmërua,  por ka mbërritur 45 minuta me vonesë, ndonëse ngjarja ka ndodhur një kilometër larg komisariatit të Kombinatit.

Osmani tregon se ndodhej para sheshit tek hyrja nr. 1 e portit. Kishte festuar ditëlindjen e djalit. Pinte kafe me shokë. Tabelën “autoshkollë” ia kishte hequr makinës. Rreth orës 20 e 20 të mbrëmjes, erdhën dy djem dhe iu lutën t’i çonte në Tiranë. I thanë se nuk kishin lekë me vete të paguanin taksi. I mora. Njëri u ul në sedilje të parë tjetri pas. Gjatë rrugës foli me pasagjerin që ishte ulur në vend të parë.  Pasagjeri i tha që vazhdonte shkollën e policisë. Ishte nga Fushë Kruja, dhe për tre muaj fillonte punë me rrogë në polici. Osmanit iu bë qejfi se dukeshin djem të mirë. Po nuk e zgjati shumë bisedën. Të rinjtë i thanë se do të shkonim në Vaqar. Aty afër i kërkuan Osmanit të kalonte nga rruga dytësore. Ndërkohë, ai, që ishte pas, i vuri tytën e një pistolete në kokë. Nga “Casa Italia” e në vijim për gati 4 a 5 km, Osmani kishtea pistoletën pas koke. U tha ku të ndalonte dhe ku t’i linte. Pasi ecën në thellësi të një rrugice, aty i thanë të ndalonte. Njëri prej tyre e qëlloi me qytën e pistoletës e shoferit i ra të fikët. Pa që zbritën të dy nga makina, njëri e tërhoqi zvarrë dhe e hodhën në rrugë. Mban mend që i vodhën edhe celularin që kishte në xhepin e djathtë. E lanë atje pa ndjenja dhe u larguan me shpejtësi.  Pas jo më shumë se 5 minutash Osmani është përmendur dhe mori 129 në telefon. I tha sallës operative që i kanë grabitur makinën, me të gjitha dokumentet, dhe e kanë lënë të plagosur në rrugë. Mban mend që pranë ishte një banesë, ku i hapën derën dhe e kanë futur brenda. Edhe familja e ka marrë policinë në telefon. Policia ka mbërritur pas 45 minutash, shumë vonë. Meçani di që, sa erdhi djali në Vaqar, kishte humbur ndjenjat prapë. Në makinë ishte patenta, dëshmia si instruktor, dokumentet e makinës, karta e identitetit dhe 8 mijë lekë të vjetra që i gjendeshin. Grabitja e makinës më ka bllokuar punën,  sot kursantëve nuk mund t’u bëj guidë. Djali punon mësues në autoshkollë, edhe ai mbetet pa punë, se kursi ecën paralelisht, guidë-teori. Me këtë që më bënë, thotë Meçani, jemi në mes të katër rrugëve. Gjithë familja mbetet pa punë. Shoferi kërkon nga policia t’i gjejë makinën e të vërë para drejtësisë dy grabitësit. “Unë sot jam në depresion total, jo se i mbijetova sulmit të dy grabitësve, por sepse nuk mund të punoj dot më. Jam bërë të vras veten. Nëse e bëj këtë gjë, ju e dini shkakun: më kanë grabitur mjetin që më ushqen me bukë të gjithë familjen”, përfundon rrëfimin tronditës 61-vjeçari.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/