Policia e Durrësit ka ndaluar një 15 vjeçar nga qyteti bregdetar, i cili gjatë ditës së premte ka realizuar dy vjedhje, por që në njërën prej tyre nuk ka qenë shumë me fat, pasi është kapur mat.
Adoleshenti P.F., duket se “aktivitetin” e tij e përqendronte tek marketet e zonës së plazhit, pasi të dy vjedhjet i ka vënë në jetë pikërisht në njësitë tregtare të lagjes nr.13 të Durrësit.
Mësohet se ai i ka vjedhur shtetases T.Ç., 47 vjeçe celularin, ndërsa kjo e fundit ishte në market. E më pas, si për të festuar vjedhjen e telefonit, ai ka tentuar të vjedhë edhe një shishe me pije alkoolike në marketin e shtetases A.K., 40 vjeçe.
Por nuk është treguar aq i kujdesshëm dhe është kapur mat.
Policia e ka kaluar dosjen penale të tij ne Prokurori, ndërsa adoleshenti akuzohet për “Vjedhje”.





