Arrestohet një i ri nga Tirana, që merrej me tregtimin e aksesorëve të ndryshme, si rripa, çanta, orë dore etj., për të cilat dyshohet se i vendoste emrin e markave të mbrojtura.
Policia e Durrësit njofton se ka vënë në pranga shtetasin Ilir Hima, 25 vjeç, i cili përveç se përdorte emër të falsifikuar për këto mallra, gjithashtu i është shmangur detyrimit tatimor në një shumë që kap shifrën e 8.5 milionë lekëve (të vjetër).
“Ndalimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga Hetimi Doganor, në aktivitetin që ushtronte Hima, u konstatua një shmangie e detyrimit doganor në shumën rreth 856 595 lekë, duke mos deklaruar në mënyrë të plotë të gjithë sasinë e mallrave dhe dyshohet se në këto mallra përdorte emrin e markave të mbrojtura”, thuhet në njoftimin e policisë.
U sekuestruan:
• 2046 copë rripa mesi;
• 3292 copë çanta;
• 1785 copë portofola;
• 123 copë kapele;
• 35 copë ora dore.
Arrestimi i 25-vjeçarit u bë nga Specialistët e Seksionit kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Antikontrabandën, Drejtorinë e Doganave Tiranë dhe Policinë e Tiranës.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Riprodhimi pa të drejtë i veprës së tjetrit”.