DURRËS, 21 janar 2014 –Edhe pse të lehta relativisht në krahasim me dy goditjet e 20 janarit, sërish pati lëkundje, duke u transferuar nga Sukthi në Golem dhe Ndroq. Rrjeti sizmologjik shqiptar ka regjistruar më 21 janar 2014, ora 11:02:56 (GMT) ose 12:02:56 (koha e Shqipërisë, plus një orë), një tërmet të lehtë me forcë M=3 dhe epiqendër në thellësinë 18 km. Sipas sizmologjisë, ngjarja sizmike është lokalizuar 16 km në vijë ajrore në juglindje të Durrësit në koordinatat 41.25°V, 19.64°L (shih etiketën në hartën e sizmologjisë, ora jepet sipas Londrës, kurse koha e Shqipërisë është plus 1). Më saktësisht, dukuria tektonike ka ndodhur në kodrat që ndodhen 3 km në lindje të Golemit të Kavajës, në afërsi të fshatit Kërçukje, komuna e Ndroqit (shih hartën, shigjeta e gjelbër). Tri orë më parë, po më 21 janar 2014, ora 8:18:16 (GMT) ose 9:18:16, u regjistruan lëkundje toke më amplitudë M=2.9 ballë, me epiqendër në thellësinë 29 km. Sizmologjia i lokalizon 3 km në verilindje të Golemit, 13 km në vijë ajrore në  juglindje të qytetit të Durrësit në koordinatat 41.26°V, 19.59°L. Më saktë tërmeti ka rënë në fshatin Bozaxhijë (komuna e Rrashbullit), pak më në veriperëndim të Kërçukjes.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/