4 mijë të punësuar për tre muaj në Durrës. Ky është rezultati më i mirë i ministrisë që drejtohet nga Blendi Klosi. Në fakt, kjo nuk është shaka, por deklarata e ministrit të mirëqenies sociale dhe rinisë Blendi Klosi, gjatë vizitës në një biznes privat të prodhimit dhe qepjes së këpucëve, në Shkozet të Durrësit. “Para tre muajsh figuronin mbi 12 mijë të papunë të rregjistruar në Zyrën Rajonale të Punës, në qytetin e Durrësit. Aktualisht janë 8 mijë të papunë të regjistruar. Numri i të papunëve është ulur me 30 përqind. Në Durrës janë 25 subjekte të biznesit të madh, kryesisht të konfeksioneve, që kërkojnë punonjës të kualifikuar dhe duhet rakordim i Zyrës Rajonale të Punës dhe Qendrës së Formimit Profesional për nxitjen e punësimit,” – tha ministri Klosi.
Ministri Klosi e bëri këtë deklaratë në prani edhe të shefave të tjerë të zyrave rajonale të punës në nivel kombëtar, që ishin të pranishëm në takim. Kreu i Bashikisë së Durrësit, Vangjush Dako, tha se “biznesi durrsak është duke u rritur dhe kompetitiv në tregun italian e me gjerë.” “Po kështu, Bashkia e Durrësit është në krah të punonjësve këtu, duke ju siguruar infrastrukturën e nevojshme si pushtet lokal, me ndërtimin e çerdheve, kopshteve etj,” – nënvizoi kryebashkiaku Dako.





