DURRËS, 3 dhjetor 2013 – Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako kanë vizituar anijen e rojës bregdetare turke TCSG UMUT, që ka mbërritur paraditen e 2 dhjetorit në portin e Durrësit. Personalitetet shqiptare janë pritur nga komandanti i anijes kapiten i rangut të parë Ertan Balxhi (Balci), komisari i kësaj anijeje kapiten i rangut të parë Xhynejt (Cüneyt) Kara dhe oficerë të tjerë. Në takim kanë marrë pjesë prefekti Roland Xhelilaj dhe kryetari i këshillit të qarkut të Durrësit Alfred Mullaraj. Komandanti i anijes TCSG UMUT dhe ushtarakë të tjerë të saj kanë shprehur kënaqësinë e kësaj vizite në Durrës. U diskutua çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ushtarak në kuadër të NATO-s si dhe miqësinë që ekziston midis popullit shqiptar dhe atij turk. Anija më e madhe e rojës bregdetare turke TCSG UMUT me një ekuipazh prej 90 vetash, përfshirë 15 oficerë, ka ardhur në portin e Durrësit në zbatim të planit të bashkëpunimit ushtarak dypalësh midis vendit tonë dhe Republikës së Turqisë për vitin 2013. Qëllimi i kësaj vizite është shkëmbimi i përvojës midis forcave detare të Shqipërisë dhe forcave detare turke si dhe pjesëmarrja e kësaj anijeje turke në një stërvitje të përbashkët. Më përpara, paradite, kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim komandantin e grupit të anijes së rojës bregdetare turke TCSG UMUT kapiten i rangut të parë Ertan Balxhi, komisarin e kësaj anijeje kapiten i rangut të parë Xhynejt Kara dhe oficerë të tjerë të kësaj anijeje. Kryebashkiaku Dako, pasi u ka shprehur mirëseardhjen në Durrës, i ka njohur ushtarakët turq me resurset e shumta që ofron qyteti i Durrësit. Gjithashtu ai ka bërë edhe një ekspoze të shkurtër të vlerave të rralla historike dhe arkeologjike, por edhe ushtarake që ka qyteti i Durrësit. Ekuipazhi i anijes së rojës bregdetare turke TCSG UMUT ka zhvilluar vizita në objektet muzeore të qytetit dhe ka pasur pritje të hapur për qytetarët në anije. Po kështu ekuipazhi i anijes ka zhvilluar një sërë aktivitetesh me Forcën Detare, si aktivitete sportive, vizita të ndërsjella dhe stërvitje të përbashkët. Para se të mbërrinte në Durrës, anija e rojës bregdetare turke SG-703 TCSG UMUT bëri më 1 dhjetor 2013 vizitën e saj të parë në një port të huaj në Mesina, Itali. Kjo vizitë u bë në bazë të planit të bashkëpunimit dypalësh midis rojave bregdetare turke dhe italiane për të lejuar shkëmbimin e informacionit dhe eksperiencave të përbashkëta në fushën e kërkim-shpëtimit (SAR), kontrollin e flukseve të migracionit dhe trafikut të anije (sistemi i operimit VTS), kontrollit të peshkimit dhe mënyrës së vazhdimit të ndotjes detare dhe trafikimin e paligjshëm të mbeturinave.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





