Durrës, 30 gusht 2014 – Kompania italiane Rosalba Shpk, e pranishme në Shqipëri prej 10 vjetësh, inauguroi sot investimin e saj të ri në zonën e ish Kënetës, Durrës. Vetëm investimi për ngritjen e kapanonit kap shifrën rreth 1 milion euro, pa llogaritur këtu vlerën e truallit, makinerive etj. Bëhet fjalë për një rrobaqepsi me sipërfaqe të shfrytëzueshme prej 4850 m2, ku janë punësuar 200 persona, kryesisht gra e vajza nga periferia e Durrësit si Shkozeti, Porto Romano e Spitalla. Investitori italian Raffaele Rosanova me këtë investim ka treguar një kurajo jo të zakonshme në fushën e sipërmarrjes, jo thjesht duke marrë me qira një kapanon, por duke blerë truallin, duke ndërtuar kapanonin e kështu me rradhë, madje për të konkretizuar idenë e tij sipërmarrëse ka marrë edhe një kredi jo të vogël në një bankë të nivelit të dytë.
Në ceremoninë e inagurimit të këtij investimi të rëndësishëm merrnin pjesë Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ErionVeliaj, Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, Prefekti Rolant Xhelilaj, ambasadori italian Massimo Gaiani dhe Umberto Dano, nënkryetari i Bashkisë së qytezës San Antonio Abates afër Napolit. Ky i fundit për asosacion idesh na kujtoi edhe qytezën e Castell’Abato-s dhe personazhet e filmit komik “Benvenuti al Sud”. Fjalimet e mbajtura nga Kryebashkiaku Dako, nga sipërmarrësi Rosanova, apo edhe nga nën kryetari Umberto Dano ishin fjalime normale, në kufijtë e rutinës për të tilla ceremoni.
Fjalimi i ministrit Veliaj kishte një mesazh të veçantë. Krahas tezave të përsëritura vazhdimisht nga ministri për arsimin profesional, për mundësitë e pakta të punësimit në administratën shtetërore dhe për tejkalimin e krizës ekonomike në Shqipëri, pati dhe risi.
Duke përdorur në thelb të njëjtat forma të komunikimit si Dr. Gëbelsi në artikujt e tij në gazetën Angrif, ku lavdëronte Kryeministrin Çembërlen dhe sulmonte deputetin Çurçill, Ministri Veliaj kritikoi disa politikanë evropianë pa ua përmendur emrat. Ministri, me një lumë lavdërimesh për Ambasadorin Gaiani, theksoi se diplomati i huaj beson në zhvillimin e Shqipërisë dhe njëkohësisht të vendeve, ku ndodh procesi i delokalizimit të ndërmarrjeve (outscoring, siç thuhet në anglisht), ndryshe nga politikanë dritshkurtër evropianë, që mbajnë qëndrime proteksioniste, madje dhe ksenofobe, që kanë frikë për humbjen e vendeve të punës në vendet evropiane, kur sipërmarrësit evropianë zhvendosin aktivitetet e tyre në një vend si Shqipëria.
Ambasadori Gaiani, me një gjuhë tipike diplomatike, e zbuti deklaratën e ministrit me fraza të përgjithshme për miqësinë italo-shqiptare, për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë etj.etj. Normalisht ngrihet pyetja për deklarata të tilla z. Ministër a është konsultuar paraprakisht me Kryeministrin Rama apo me të paktën z. Endri Fuga, i cili në mënyrë figurative mund të konsiderohet si një Miti Tona i shekullit XXI?
Inagurimi kaloi në një atmosferë festive, mjaft miqësore, të kuruar me kujdes nga “të zotët “ e shtëpisë d.m.th. investitori Rosanova. Gjatë inagurimit mësuam edhe një fakt interesant përsa i përket dimensionit njerëzor të sipërmarrësit Rosanova dhe bashkëshortes së tij. Ata kishin adoptuar dy fëmijë brazilianë (njëri djalë dhe tjetra vajzë), të cilët madje i dhuruan të ftuarve tufa me lule gjatë ceremonisë së inagurimit të stabilimentit të ri të rrobaqepësisë.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





