DURRËS, 30 gusht 2014 – Ende pa filluar viti i ri shkollor, Drejtoria Arsimore Rajonale (DAR) dhe Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare (DRKK) të Durrësit mblodhën në fundjavë drejtorët e shkollave dhe koordinatorët e projektit “Miku i Monumentit”.
Në takim (në foton kryesore) u paraqit programi i veprimtarive që do të zhvillohen në qytet më 29 shtator 2014, ditën kombëtare të trashëgimisë kulturore, thanë krerët e këtyre dy institucioneve, përkatësisht znj. Linditë Mukaj dhe z. Ledion Lako.
Në një frymë bashkëpunimi dhe ndërveprimi u përcaktuan detyrat dhe u shkëmbyen ide për realizimin sa më të plotë dhe të suksesshëm të kësaj ngjarjeje kulturore për qytetin e Durrësit.
Përveç nxënësve, DRKK-ja Durrës do të përfshijë në organizimin e kësaj ngjarjeje edhe faktorë të tjerë vendorë, institucione, shoqata etj.
Info
Projekti “Miku i monumentit” është zyrtarizuar nëpërmjet një marrëveshjeje midis DAR-it dhe DRKK-së të Durrësit.
Ky projekt konsiston në “marrjen e përgjegjësisë publike” të ruajtjes së monumenteve historike, kujdesit dhe realizimit të veprimtarive me karakter edukativ e kulturor nga 8 shkolla të qytetit të Durësit.
Shkollat e përfshira në këtë projekt janë "Gjergj Kastrioti", “Vinçenc Prendushi" (fotoja e parë poshtë), "Shaqe Mazreku", "Marie Kaçulini", "Jan Kukuzeli" (fotoja e dytë poshtë), "Naim Frashëri", "Met Hasa" dhe shkolla 9-vjeçare e Arapajt.
Para dy muajsh, në kuadër të projektit Miku i Monumentit, u zhvillua një trajnim i koordinatorëve të shkollave të drejtuar nga administratorja e trashëgimisë jomateriale dhe edukimit znj. Antigoni Gjergji.
Në këtë trajnim u instruktuan koordinatorët sesi duhet të zhvillonin punën me nxënësit për grumbullimin e ideve dhe u prezantua konkretisht fokusi edukativ i projektit.
Prezantimet u kryen nga A. Gjergji, arkeologia Edë Çekrezi dhe trajnuesi Mito Kudaka.
Në trajnim u zhvillua një teknikë brainstorming me koordinatorët.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





