Këshilltarët bashkiakë të Durrësit miratuan sot me shumicë votash 2 pikat e rendit të ditës, të mbledhjes jashtë radhe.

Megjithëse në mbledhjen e fundit të muajit korrik u njoftua se mbledhja e radhës do të ishte në shtator, KB Durrës u mblodh me urgjencë për të kaluar për miratim dy pikat e mëposhtme:

1. PËR MIRATIMIN E MARRËVESHJES PËR KRIJIMIN E SUBJEKTIT TË KOMPETENCAVE TË PËRBASHKËTA TË UJËSJELLËS-KANALIZIMEVE DATË 28.06.2022, LIDHUR NDËRMJET BASHKISË DURRËS DHE MINISTRISË SË ENERGJISË DHE INFRASTRUKTURËS DHE BASHKIVE SHIJAK, KRUJË, KAVAJË, RROGOZHINË

2. PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN E KËSHILLIT BASHKIAK NR.116, DATË 30.09.2021 “PËR DETAJIMIN E FONDIT TË PËRFITUAR NË ZBATIM TË VENDIMIT TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE NR.514, DATË 18.09.2021 “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E ZBATIMIT, MBIKËQYRJES DHE KOLAUDIMIT PËR REHABILITIMIN E INFRASTRUKTURËS SË RRJETIT TË KULLIMIT NË ZONËN E PORTO ROMANOS – KËNETË DHE SISTEMIMIN E RRJETIT TË UJËRAVE TË SHIUT NË ZONËN URBANE TË QYTETIT TË DURRËSIT DHE CAKTIMIN E BASHKISË DURRËS SI NJËSI ZBATUESE”.

Pika që ngjalli më shumë diskutime mes këshilltarëve, ishte pika e parë e rendit të ditës, që ka të bëjë me Ndërrmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve Durrës, ku këshilltarja Morena Boja ngriti shqetësimin se kjo marrëveshje dhe kjo shoqëri e re cënon autonominë vendore, sepse bashkisë i kufizohen kompetencat për vendimmarrjen në SPK-UK.

Ndërkohë, këshilltari Artion Beqiraj në shpjegimin e tij mbi këtë relacion (faksimilja në fund të shkrimit) theksoi se aktualisht UKD sh.a. është aksioner së bashku me bashki të tjera si Kurbini, Vora, Shijaku, Kruja etj, ndërsa me shoqërinë e re që do të krijohet disa prej bashkive aktuale nuk do të jenë më pjesë, por shtohen Kavaja dhe Rrogozhina.

“DurrësLajm” mësoon se “pjesën e luanit” në shoqërinë e re SPK-UK e ka Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me 51% të aksioneve, ndërsa 5 bashkitë ndajnë mes tyre 49% të aksioneve. Bashkia Durrës ka përqindjen më të lartë mes bashkive aksionere me 32.47% të aksioneve.

Me projektvendimin që u miratua sot i hapet drita jeshile transferimit të plotë të veprimtarisë ekonomike duke përfshirë asetet që aktualisht shoqëria UKD ka, për tek shoqëria e re Subjektit të Kompetencave të Përbashkëta – Ujësjellës Kanalizime që do të krijohet mes bashkive Durrës, Krujë, Kavajë, Shijak dhe Rrogozhinë.

Kjo iniciativë vjen në zbatim të VKM- së nr. 302, datë 11.05.2022 “Për politikat kombëtare për riorganizimin e sektorit të furnizimit me ujë dhe të largimit, trajtimit dhe përpunimit të ujërave të ndotura”, ku ndër të tjera theksohet se për të mërmirësuar cilësinë e shërbimeve dy ose më shumë njësi të vetëqeverisjes vendore, brenda një qarku apo midis qarqeve të ndryshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e njësive të vetëqeverisjes vendore, mund të lidhin marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet tyre dhe me ministrinë përgjegjëse për infrastrukturën dhe energjinë për riorganizimin e shoqërive aksionare ekzistuese të ujësjellës-kanalizimeve.

Megjithëse vetëm Kruja dhe Shijaku janë pjesë e qarkut Durrës, Subjekti i Kompetencave të Përbashkëta (SPK) që do të krijohet do të këtë të përfshirë brenda tij edhe bashkinë e Kavajës dhe Rrogozhinës, që janë pjesë e qarkut të Tiranës.

Marrëveshja për krijimin e Subjektit të Kompetencave të Përbashkëta të Ujësjellës-Kanalizimeve është lidhur më datë 28.06.2022  ndërmjet Bashkisë Durrës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe bashkive Kavajë, Shijak, Krujë dhe Rrogozhinë (faksimile në fund të shkrimit).

Këshilltarja Morena Boja ngriti shqetësimin e saj edhe për pikën e dytë të rendit të ditës, ku 700 milionë lekë, pjesë e grantit të qeverisë për programin e rindërtimit, do të kalohen për t’u përdorur për sistemimin e kanaleve kulluese në Porto – Romano dhe Kënetë, si dhe për sistemimin e rrjetit të ujërave të shiut në zonën urbane të Durrësit.

Por sipas nënkryetarit të bashkisë Gentian Kallmi, ky fond do të përdoret për Hidrovorin, i cili është pjesë e programit të rindërtimit, pasi u dëmtua rëndë nga tërmeti.  

M.B.

Relacioni për marrëveshjen për SPK-UK