Enti Rregullator i Ujit (ERRU) ka miratuar tarifat e reja për furnizimin me ujë të pijshëm dhe largimin e ujërave të ndotura që ofrohen nga Ujësjellës Kanalizime Durrës. Në kontratën e nënshkruar midis ERRU dhe Ujësjellësit Kanalizime Durrës bëhet e ditur se në 1 mars të këtij viti hyjnë në fuqi tarifat e reja.
Sipas kontratës në fjalë. uji i pijshëm për konsumatorët familjarë do të tarifohet në vlerën e 61 lekë për metër kub, ndërsa largimi i ujërave të ndotura do të jetë 37 lekë për metër kub. Konsumatori publik me tarifat e reja do të ketë një çmim prej 115 lekë per meter kub për ujin e pijshëm dhe 54 lekë per meter për largimin e ujërave të ndotura. Entet private do të tariforen me 125 lekë per meter kub për ujin e pijshëm dhe 56 lekë per meter kub për largimin e ujërave të ndotura. Ujësjellës Kanalizime Durrës kërkoi nga Enti Rregullator rritjen e çmimit të ujit deri në 70 lekë per meter kub, pasi një rritje e tillë kërkohej për të përballuar midis të tjerash këstet e kredisë së Bankës Botërore për ndërtimin e ujësjellësit të ri për qytetin e Durrësit. Çmimet e tanishme, para rritjes, për të tre kategoritë e konsumatorëve janë:
- Konsumatori familjar: Uji i pijshëm 58 lekë per meter kub, ujërat e ndotura 35 lekë per meter kub
- Konsumatori publik: Uji i pijshëm 110 lekë per meter kub, ujërat e ndotura 50 lekë per meter kub
- Entet private: Uji i pijshëm 120 lekë per meter kub, ujërat e ndotura 50 lekë per meter kub
Në total, me çmimet e reja, një konsumator familjar do të paguajë 3 lekë më shumë në muaj për çdo metër kub ujë të pijshëm dhe 2 lekë për çdo metër kub të ujërave të zeza.





