Teliti: Bashkia drejt falimentimit

Dako: Të gjejmë mënyra për rritjen e të ardhurave ose rritje taksash

DURRËS, 23 tetor 2013 – Këshilli Bashkiak i Durrësit ka miratuar me shumicë votash, vota të majta dhe një abstenim demokrat, buxhetin e vitit 2013 dhe realizimin e buxhetit 2012. Ndonëse paradoksale, ndodhi që buxheti i këtij viti të miratohet në fund të muajit të dhjetë të vitit.Diskutimet kanë nxjerrë në pah një panoramë të trishtë jo vetëm financiare, por edhe të nivelit të ndonjërit prej këshilltarëve, që arrin të krijojë ilaritet me mungesën e forcës argumentuese dhe paqartësinë në deklarim. Ndërkohë kryebashkiaku i Durrësit paralajmëroi rritje taksash për vitin e ardhshëm, si dhe vjelje të plotë të taksave vjetore për familjet përmes bashkëpunimit me shoqërinë Ujësjellës Kanalizime Durrës, ndërsa ka rezultuar jo e suksesshme vjelja përmes zyrave të gjendjes civile. Sipas këshilltarëve demokratë, Bashkia e Durrësit po shkon me shpejtësi drejt falimentimit, pasi të ardhurat e realizuara prej saj janë në rënie të vazhdueshme. Nga viti në vit të ardhurat e bashkisë së Durrësit kanë ardhur në rënie. Mosvjelja e taksës së ndikimit në infrastrukturë për shkak të bllokimit të dhënies së lejeve të ndërtimit, si dhe të qenit vit elektoral ka diktuar ndjeshëm gjendjen e vështirë të arkës së bashkisë nr.2 në vend. 

Duke iu referuar të ardhurave të siguruara në vitin 2012, këshilltari i PD-së Armand Teliti tha se bashkia e Durrësit po shkon drejt falimentimit: “Të ardhurat janë realizuar në masën 46% më pak se në vitin 2011, ose 4 milion euro më pak, ndërsa investimet publike ranë ndjeshëm. Taksa e tabelës është vjelur vetëm 28 % në 2012-n, ndërsa shpenzimet operative janë ulur vetëm me 10%. Të sjellësh buxhetin për miratim në fund të vitit është një shfaqje e qartë papërgjegjshmërie, ndërsa paketa fiskale e paraqitur për vitin 2013 parashikonte taksa e tarifa më të larta secc parashikon ligji dhe megjithëse ne nuk e miratuam dhe kërkuam vlerësimin nga Ministria e Financave, bizneseve iu volën taksa në ato nivele.”

I vënë përballë këshilltarëve, kryebashkiaku Dako deklaroi se niveli i të ardhurave ndikohet drejtpërdrejt nga mosdhënia e lejeve të ndërtimit që kanë pjesën e luanit në realizimin e të ardhurave, po dhe faktorë të tjerë: “40 % e të ardhurave sigurohen nga lejet e ndërtimit dhe përderisa nuk ka ndërtime në qytet, nuk vilet taksa e ndikimit në infrastrukturë të ardhurat do të jenë këto dhe për periudhën në vazhdim, ndaj duhet të mendojmë të gjejmë mënyra të reja të sigurimit të të ardhurave. Me miratimin e planit rregullues të qytetit parashikohet që dhe 2014 të regjistrojë të njëjtën ecuri realizimi nga kjo taksë.”

Kritikës së ardhur nga këshilltari Zamir Ramadani për një diferencë të konsiderueshme të të ardhurave të siguruara nga taksat e vjela nga bizneset në dallim me ato të qytetarëve, familjeve, Dako iu përgjigj se për vjeljen e taksave vjetore të familjeve durrsake as CEZ Shpërndarje, as Ujësjellësi dhe as Posta nuk janë treguar bashkëpunues. Ai tha se këtej e tutje, Ujësjellësi do të bashkëpunojë për vjeljen e taksave nga qytetarët, ndërsa deklaroi se duhen gjetur rrugë të reja për rritjen e të ardhurave dhe një mënyrë është rritja e taksave lokale. Dako falenderoi të djathtët që braktisën rrugën e bojkotit dhe kërkoi bashkëpunimim dhe mirëkuptimin e tyre në miratimin e paketës fiskale 2014 gjatë muajve të ardhshëm. 

Pas aleancës parazgjedhore me LSI, e majta zotëron shumicën edhe në këshillin bashkiak të Durrësit i cili nuk mblidhej që nga janari i këtij viti, duke thyer edhe afatet ligjore të funksionimit të tij. Me përjashtim të Zamir Ramadanit që abstenoi, këshilltarët e tjerë të së djathtës votuan kundër buxhetit 2013, që ndonëse buxhet faktik tashmë, theksoi vendimet politike që merren nga të zgjedhurit e votuesve durrsakë. Ndërkaq gjatë mbledhjes ccështja e ngritur mbi gjelbërimin, mes planifikimit financiar në buxhet dhe situatës reale, ndonëse tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve në sallë, nuk mundi të sjellë asnjë argument nga këshilltari demokrat Sabri Ccakërri përpos ilaritetit dhe ndjesisë që lë pas një përfaqësim i tillë.

Në mbledhjen e fundit u miratua dhe lista emërore e familjeve që kërkojnë të përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti për strehim, një pjesë e mirë e përfituesve janë familje ish-qiramarrëse që mbetën pa shtëpi pas aktit normativ të Këshillit të Ministrave për lirimin e banesave të ish-pronarëve.

 

/v.q. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/