Në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak Durrës, ku do të miratohej buxheti për vitin e ardhshëm dhe paketa fiskale, opozita u paraqit thuajse e përgjysmuar.
Duket se pushimet e fundvitit i kishte nisur para kohe.
Në mbledhje u miratuan me shumicën e votave të këshilltarëve të pranishëm 13 pikat e rendit të ditës, që nuk kishin lidhje me buxhetin dhe paketën fiskale, ndërkohë që diskutimet më të gjata u përqendruan në pikat 4, 5 dhe 6 të rendit të ditës.
Këshilltari demokrat Ardian Muka, që ishte protagonist në thuajse çdo diskutim i bëri apel bashkisë që buxheti të mos prezantohet kaq vonë, në mënyrë që t’u lihet hapësirë dhe opozitës të bëjë propozimet e veta.
Ndërkohë këshilltarja Anisa Ibraj i kërkoi kryetares së bashkisë se kur do të bëhet realitet premtimi për kartën e studentit dhe nëse ka një projekt për ndërtimin e godinës së konviktit për kampusin universitar “Aleksandër Moisiu”.
Në një kohë që këshilltarët e opozitës ngrinin pretendimet e tyre për zëra të caktuar në buxhet, kreu i grupit të këshilltarëve socialist Rolant Xhelilaj, u vuri në dukje se ata dhe përfaqësuesit e tyre nuk kishin marrë pjesë në asnjë dëgjesë publike, nga 18 të tilla të mbajtura.
Buxheti i bashkisë Durrës për vitin 2024 do të jetë 4.5 miliardë lekë ose 14% më i lartë se viti paraardhës. Kryebashkiakja Sako përmendi programet buxhetore, që do të marrin përgjatë vitit të ardhshëm pjesën e luanit. Sinkron
Buxheti i vitit të ardhshëm u miratua me 30 vota pro, 9 kundër dhe 2 abstenime, ndërsa paketa fiskale u miratua me 31 vota pro dhe 11 kundër.
Në fund të mbledhjes, në hapësirën kushtuar diskutimeve, pjesa më e madhe e këshilltarëve të të gjitha kaheve politike braktisi sallën, duke mos mundësuar kuorumin e nevojshëm për vazhdimin e mbledhjes. Megjithëse diskutimet do bëheshin nga 3 këshilltarë të djathtë, ata u bojkotuan edhe nga të vetët në fund të mbledhjes.

Në një sallë thuajse të boshatisur, kryetarja e bashkisë bëri urimin e zakonshëm në mbyllje të sesionit vjetor të Këshillit Bashkiak.
M.B.





