Në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak Durrës, një nga pikat e rendit të ditës që kaloi për miratim ishte harta e përgjithshme e plazheve publike dhe private për këtë sezon veror.

Dy këshilltarët e djathtë Ardian Muka dhe Edlira Shemsi, pavarësisht se ishin dakort me ndarjen e hapësirës së rërës përgjatë gjithë vijës bregdetare të Durrësit bënë dy propozime konkrete lidhur me plazhet publike për qytetarët, por edhe hapësirat që mund t’u rezervohen pensionistëve.

“Vija e parë të parcelizohet kundrejt sipërfaqeve që u rezervohen bizneseve, ndërkohë që në brezin fundor të sipërfaqes së rërës të krijohen plazhet publike. Pra të mos jetë i parcelizuar siç është aktualisht në parcela të shpërndara sin ë Hekurudha, Apollonia, Iliria etj, port ë jetë përgjatë gjithë vijës bregdetare”,- propozoi kwshilltari Muka, në mënyrë që edhe banorët rezidentë të bëjnë plazh pranë shtëpive të tyre e jo t’u drejtohen parcelave publike që mund të jenë larg banesës së tyre.

“Pensionistët janë një moshë që nuk mund të shkojnë kudo. Vërtet kemi një vijë bregdetare shumë të gjerë, por ata nuk mund të shkojnë shumë larg qytetit, për shkak të moshës që kanë. Brenda plazheve të qytetit të lihen plazhe publike për këto mosha”,- tha këshilltarja Shemsi ndërsa kujtoi që dy vitet e fundit, pensionistët e Durrësit po bëjnë plazh në shkallët e Sfinksit, pasi u janë zënë edhe ato hapësira publike që vite më parë mund t’i përdornin për plazh.  

Procesi i rindërtimit vazhdon të përbëjë pjesën më të madhe të pikave të rendit të ditës, që bashkia Durrës u propozon këshilltarëve për miratim. Edhe këtë herë nuk kishte si të ndodhte ndryshe, sepse plot 8 pika lidheshin me këtë proces. Kryetari i grupit të këshilltarëve të koalicionit “Bashkë fitojmë”, Dritan Burgija, ndërsa nënvizoi faktin se shumë prej kërkesave për informacion nuk kanë marrë përgjigje, edhe pse kanë kaluar rreth 2 muaj, u ndal tek ato që ai i konsideron si raste abuzive me këtë proces.

“Një familje në Sukth, me datë 05.02.2020 (3 muaj pas tërmetit) në certifikatë familjare ka 2 anëtarë. Më 25.09.2023 e njëjta familje përbëhet nga 4 persona  dhe më 07.12.2023 e njëjta familje rezulton me 6 persona. Duke u rritur numri i anëtarëve të familjes përfitohet më shumë nga procesi i rindërtimit. Shqetësimi im nuk është pse këta banorë përfitojnë nga ky proces, sepse ata duhet të përfitojnë sepse është e drejtë e tyre. Shqetësimi im është se jetojmë në një qytet shumë të vogël, njihemi shumë mirë me njeri-tjetrin dhe na vijnë nga institucionet bankare informacione se po vijnë njerëz, që kërkojnë kredi 5000 euro, sepse kanë hall të paguajnë që të përfitojnë metra më shumë”.

Në fund të mbledhjes, këshilltarët u njohën me 2 raporte, njëri lidhej me sezonin turistik 2023 dhe tjetrin me punën e Këshillit Bashkiak përgjatë vitit të kaluar.

M.B.