DURRES – Shënohet një tjetër akt i rëndë i dhunës në familje. Një mjeke për pak ka rrezikuar të humbë jetën nën goditjet me thikë të të shoqit. Ngjarja e rëndë është regjistruar një ditë më parë në një institucion shtetëror. 38 vjeçari Altin Tepshi nuk e ka pranuar dot idenë e divorcit nga gruaja e tij 31- vjeçare me profesion mjeke, me të cilën kishte një fëmijë disa muajsh. Për këtë arsye, ai ka shkuar në zyrën e saj, në Drejtorinë Rajonale të Kujdesit Shëndetësor dhe ka tentuar t'i presë kokën me thikë.
Sipas Balkanweb, vetëm ndërhyrja e koleges së zyrës ka mundur ta shpëtojë mjeken Anila Domi nga vdekja. Sipas policisë lokale, Altin Tepshi, 38 vjeç, ka goditur me thikë tre herë bashkëshorten e tij. Mësohet se mjekja i kishte kërkuar bashkëshortit disa ditë më parë, divorcin dhe kujdestarinë e fëmijës, pasi kishin konflikte të vazhdueshme.
Pasi janë grindur për disa minuta në zyrën e mjekes, bashkëshorti i saj Altin Tepshi, me thikë në dorë e ka pyetur nëse donte të divorcohej. Por pas përgjigjes së prerë të 31-vjeçares, e cila i ka thënë se nuk do të vazhdonte më, bashkëshorti e ka qëlluar disa herë në qafë dhe ka tentuar t'i presë kokën. Në këtë kohë ka ndërhyrë kolegia, e cila e ka tërhequr 31-vjeçaren nga duart e bashkëshortit dhunues dhe ka lajmëruar policinë. 38- vjeçari, pas veprimit është larguar me shpejtësi, ndërsa policia e ka shpallur në kërkim. Sipas bluzave të bardha të Durrësit, mjekja Anila Domi fatmirësisht nuk ka rrezik për jetën, pasi goditjet nuk kanë prekur venat kryesore. Mësohet se 31-vjeçarja, ishte kthyer në punë prej pak javësh, pas lejes së lindjes. Sipas policisë, mjekja kishte disa ditë që qëndronte në familjen e prindërve të saj, në lagjen 18 në Durrës, pasi ishte larguar nga banesa bashkëshortore.





