Durrës, 9 korrik 2014 – Dhjetra mole kanë pushtuar plazhin e Malit të Robit në Durrës, ndërtuar në vite në mënyrë të paligjshme nga subjektet private që kanë hedhur gurë në det.
Emisioni “Alarm” në Ora News e ngriti sërish sot, problemin e ndërtimit të paligjshëm të tyre dhe njëkohësisht, kërkoi me kamera të gjejë kompetentin, që duhet t’i ndalë këto prita.
Qysh në vitin 2011, Gëzim Dauti, Kryeinspektor i INUK pat deklaruar “se kemi ngritur një grup evidentimi për këta mole të paligjshme dhe ne do të marrim masat tona për prishjen e tyre në të gjithë gjatësinë e bregdetit. Ato janë bërë nga persona të ndryshëm në periudha të ndryshme pa leje, por forca e ligjit do të jetë e ashpër. Do të marrim masa të ashpra me gjoba deri në ndjekje penale ndaj subjekteve private që i kanë ndërtuar.”
Por, me kalimin e viteve, molet u shtruan dhe e kanë kthyer bregun e detit në këtë zonë, në basene. “Alarm” e ndoqi problemin edhe këtë verë dhe situata, pavarësisht prishjeve me eksploziv që INUK po bën në bregdet, paraqitet edhe më keq se ishte.
/oranews/





