Në raste emergjente, kur kërkohet ndihma e tyre, zjarrfikësit e Durrësit e kanë nganjëherë thuajse të pamundur të mbërrijnë deri në destinacion. Kjo për shkak të rrugëve dhe hapësirave të ngushta mes pallateve, apo parkimeve të gabuar (vend e pa vend) të automjeteve të qytetarëve.

I tillë është dhe rasti i sotëm, kur efektivët e shërbimit zjarrfikës i shkuan në ndihmë një çifti të moshuarish në lagjen nr.17 në Durrës.

Për shkak të rrjedhjes së bombulës së gazit, të moshuarit që banojnë në katin e gjashtë të një pallati kërkuan ndihmën e ekipeve të mbrojtjes kundër zjarrit.

Po ndërsa zjarrfikësit u shkuan menjëherë në ndihmë të moshuarve, makina e tyre e kishte të pamundur të depërtonte deri tek pallati, siç duket mjaft qartë edhe në pamjet filmike që “DurrësLajm” po publikon.

Fatmirësisht gjithçka u vu nën kontroll shumë shpejt, po në rast se apartamenti do të ishte përfshirë nga flakët, mbërritja në kohë e mjetit zjarrfikës do të kishte qenë thuajse i pamundur.