Një nga asetet më të rëndësishme të turizmit në Durrës janë monumentet e kulturës dhe sitet arkeologjike dhe historike të qytetit 3000-vjeçar.

Por a u kushtohet atyre vëmendja e duhur për t’i promovuar në mënyrën më të mirë të mundshme në sytë e turistëve të huaj dhe vizitorëve?

Nga një vëzhgim që ‘DurrësLajm” bëri një natë më parë përgjatë mureve të kalasë dhe amfiteatrit të qytetit, terri mbizotëron thuajse gjithandej.

Përgjatë gjithë gjatësisë së mureve të kalasë që datojnë në shekullin V të erës sonë, të vetmet pjesë të ndriçuara janë porta dhe kulla C, e cila iu nënshtrua restaurimit, pasi një pjesë e saj u shemb nga tërmeti i datës 26 nëntor  2019.

Kulla C u restaurua falë fondit të ambasadorëve dhe në inaugurimin e përfundimit të restaurimit ishin të pranishme edhe ambasadoja amerikane Yuri Kim dhe homologia e saj suedeze Elsa Hastad.

Përveç restaurimit, të huajt na mundësuan edhe ndriçimin e kullës historike.

Ndërsa vetëm pak metra më larg mbretëron errësira. Në terr është edhe busti i heroit të popullit Telat Noga.

Megjithëse sistemi i ndriçimit është i instaluar përgjatë mureve të kalasë, por edhe në tokë, ai nuk funksionon dhe monumenti i trashëgimisë kulturore është thuajse në errësirë të plotë.

Jemi në fund të muajit shtator, por Durrësi vijon të mbetet qytet mjaft i vizituar nga turistët e huaj, si gjatë ditës, ashtu edhe përgjatë orëve të natës.

Ndryshe nga stina e verës kur ndri­çimi natyror u mundëson vizitorëve një fushëpamje mjaft të qartë deri rreth orës 21.00, në vjeshtë ndriçimi artificial është një domosdoshmëri për t’i paraqitur këto site të trashëgimisë natyrore sa më tërheqëse në sytë e turistëve.

Ato janë një pasaportë mjaft e mirë e Durrësit antik, për t’i dhënë edhe më hov zhvillimit të turizmit kulturor dhe për ta bërë qytetin të vizitueshëm në 4 stinët e vitit.

Por të lëna në terr, ato nuk janë tërheqëse për askënd!