Qytetarët e Durrësit dhe turistët e shumtë rrezikojnë të lëndohen seriozisht teksa kalojnë rrugën nga njëri trotuar në tjetrin, në rrugën “Taulantia”.

Në këtë aks rrugor, ndër më të frekuentuarit dhe me më shumë fluks lëvizjesh në qytet, disa muaj më parë pati disa punime, të cilat kanë lënë ende edhe sot hapur disa gropa të mëdha anash trotuareve, përgjatë gjithë gjatësisë së tyre.

Siç shihet edhe nga pamjet që përcjell “DurrësLajm” mbrëmjen e sotme, sapo kalon vizat e bardha për t’u ngjitur në trotuar, të shfaqet një gropë e madhe, e pambuluar, e mbi të gjitha pa asnjë sinjalistikë rreziku.

Paradoksi qëndron te një gropë më tutje, ku aksesi i këmbësorëve është më i pakët dhe aty qëndrojnë tre trekëndësha të lëvizshëm që të sinjalizojnë rrezikun që të kanoset.

Këto gropa të zbuluara përbëjnë rrezik serioz për njerëzit e mbi të gjitha për fëmijët që mund të bien në to.

Një ndërhyrje e shpejtë nga ana e autoriteteve përkatëse dhe firmave përgjegjëse, do të shmangte incidentet me kalimtarët.