DURRËS, 15 gusht 2014 – Durrsakët kanë nxituar të shijojnë të premten në plazh, me një mot pak më të freskët se ditët e mëparshme, me temperatura ngadalë në rritje deri në 30 gradë.
Afër mesditës në qiell janë dukur re dhe vranësira të lehta, që në ndonjë kodër në fshatrat e rrethit kanë rënë disa pika shiu.
Përgjithësisht, edhe e shtuna, sidomos e diela, sipas portaleve meteorologjike në Durrës do të jetë në nivelin e 29-30 gradëve gjatë ditës dhe 20 gradë gjatë dy netëve (shih poshtë: grafiku i parë është ai i temperaturave gjatë 2,5 ditëve të fundjavës; grafiku i dytë ka të bëjë me drejtimin e erës dhe shpejtësinë në m/sekondë, ku inicialet anglisht WNW do të thotë perëndim-veriperëndim, NW veriperëndim; grafiku i tretë ka të bëjë me lagështirën relative).
Info/ Mbi parashikimin e motit në Shqipëri për datat 15 deri 17 gusht 2014
Sipas Departamentit të klimës dhe mjedisit në institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, rajoni i Ballkanit për fundjavë do të ndodhet nën ndikimin e një fushe me presion atmosferik rreth vlerave normale.
Të premten, 15 gusht 2014,u parashikua se do të mbizotëronte një mot i kthjellët me vranësira të pakta, shoqëruar edhe me ndonjë shi të dobët lokal në veriperëndim dhe qendër të vendit, teksa era do të frynte e lehtë, në bregdet deri 20 km/orë, nga veriperëndimi; në vendet malore temperaturat minimale deri në 19 ndërsa ato maksimale deri në 23 gradë celsius; në vendet e ulëta temperaturat minimale deri në 23, ndërsa ato maksimale deri në 31 gradë celsius; në bregdet temperaturat minimale në 25, ndërsa ato maksimale deri në 30 gradë celsius.
Të shtunën, 16 gusht 2014,do të mbizotërojë mot i kthjellët me vranësira të pakta në lindje të vendit; era do të fryjë lehtë, në bregdet deri 20 km/orë, nga veriperëndimi; në vendet malore temperaturat minimale deri në 13, ndërsa ato maksimale deri në 24 gradë celsius; në vendet e ulëta temperaturat minimale deri në 18, ndërsa ato maksimale deri në 29 gradë celsius; në bregdet temperaturat minimale deri në 20, ndërsa ato maksimale deri në 30 gradë celsius.
Të dielën, 17 gusht 2014, do të mbizotërojë mot i kthjellët me vranësira të pakta dhe shira të dobët lokalë; era do të fryjë e lehtë, në bregdet deri 20 km/orë, nga veriperëndimi; në vendet malore temperaturat minimale deri në 12, ndërsa ato maksimale deri në 23 gradë celsius; në vendet e ulëta temperaturat minimale deri në 18, ndërsa ato maksimale deri në 30 gradë celsius; në bregdet temperaturat minimale deri në 20, ndërsa ato maksimale deri në 29 gradë celsius.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





